Ndaj, pritet që qeveria e re të mos jetë e qëndrueshme nëse formohet fare, duke u përfolur gjithnjë e më shumë për zgjedhje të reja të mundshme në vjeshtë apo vitin e ardhshëm. Një situatë e tillë paszgjedhore në Prishtinë sigurisht që nuk do të ndihmojë në “shkrirjen” e dialogut me Beogradin.
Ndikimi i Sorensen
Milosh Pavkoviç, studiues në Qendrën për Politika Evropiane, beson se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës sigurisht që nuk do të jetë në fokus së shpejti. “Pavarësisht se BE-ja ka emëruar ndërmjetësuesin e ri në dialog, Peter Sorensen, është e sigurt se në periudhën e ardhshme nuk do të ketë legjitimitet të mjaftueshëm në Prishtinë për të ndërmarrë ndonjë hap më konkret.
Dialogu do të mbetet anash, Sorensen do ta mbajë para kamerës”, vlerëson Pavkoviç për “Blic”. Siç thotë ai, nuk duhet të presim “gjëra epokale” në dialog edhe nëse Kurti formon qeveri. “Kurti nuk ka pasur asnjëherë dialog si fokus, e ndoshta nuk do ta ketë as tani. Dhe një qeveri e tillë do të fokusohet më shumë në presionin e vazhdueshëm ndaj komunitetit serb, veçanërisht në veri të Kosovës.
Zgjedhje të reja
Nga ana tjetër, nëse Uashingtoni ndikon në krijimin e një koalicioni të gjerë anti-Kurti në pushtet, pyetja është se çfarë perspektive do të ketë ai koalicion në muajt në vijim, sepse vitin e ardhshëm do të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, që kërkon një shumicë prej dy të tretave në parlament, që mund të çojë në zgjedhje të reja”, analizon Pavkoviç.
Ai shton se nuk duhet të përjashtohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vjeshtë nëse nuk formohet qeveria e re. “Në atë kohë në Kosovë dhe Metohi mbahen zgjedhjet lokale, kështu që mund të mbahen edhe zgjedhje të reja parlamentare. Aq më tepër që çështja e madhe është nëse formimi me çdo kusht i një koalicioni anti-Kurti do të kontribuonte në dobësimin apo forcimin e tij”, përfundon Pavkoviç.
Ndërhyrja e Amerikës
Diplomati Zoran Milivojeviç thekson se shumë për formimin e qeverisë në Prishtinë dhe dialogun me Beogradin do të varet nga Uashingtoni. “Deklaratat e Richard Grenellit për Kurtin pak ditë para zgjedhjeve janë një tregues i qartë se Amerika nuk do të qëndrojë mënjanë në këtë proces dhe se rezultati do të varet nga Uashingtoni. Fakti është se Kurti e humbi mbështetjen e Amerikës, por nuk mori 50 për qind të votave”, vlerëson Milivojeviç.
Ai shton se fuqitë perëndimore mund ta bindin opozitën shqiptare që të formojë një qeveri së bashku me minoritetin serb. “Pyetja është se sa e qëndrueshme do të ishte një qeveri e tillë. Nëse Kurti bën koalicion, ai nuk do të sillet në pushtet siç është bërë deri më tani, kur kishte shumicë absolute në parlament”, beson Milivojeviç.
Sipas tij, BE-ja nuk ka alternativë për vazhdimin e dialogut, përveç zhvillimit të bisedës për platformën e Marrëveshjes së Ohrit. “Do të shohim se si do të pozicionohet Uashingtoni në dialog. Nuk mendoj se Amerika do ta lejojë BE-në të ndërmjetësojë në dialog, ndërkohë që Uashingtoni të mbetet mënjanë. Trump është i njohur për pragmatizmin dhe dëshirën e tij për ta kryer punën sa më shpejt të jetë e mundur duke respektuar interesat serbe”, përfundon Milivojeviç.
