Papa Leoni XIV ka deklaruar se nuk ka interes të përballet me Donald Trump, duke sqaruar se mesazhet e tij për paqen nuk lidhen me zhvillime të fundit politike.
Gjatë një bisede me gazetarët në avionin drejt Angolës, Papa theksoi se disa nga fjalimet e tij janë keqinterpretuar si reagime ndaj deklaratave të Trump, ndërkohë që ato janë përgatitur më herët.
“Fjalimet që po lexoj këtu në Afrikë janë shkruar dy javë më parë, shumë përpara komenteve të presidentit amerikan,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka asnjë interes për një përplasje të re.
Ai nënvizoi se misioni i tij mbetet i fokusuar te përhapja e mesazhit të paqes dhe vëllazërisë, duke theksuar se Kisha duhet të vazhdojë rrugën e saj përtej debateve politike.
Gjatë një meshe të mbajtur në Yaoundé, Papa foli edhe për sfidat historike të Kishës Katolike, duke theksuar se ajo ka kaluar shpesh periudha të vështira, por ka qëndruar e fortë.
Ai theksoi se besimi dhe shpresa janë elementë thelbësorë për të përballuar sfidat, duke nënvizuar se mesazhi i Ungjillit mbetet udhërrëfyes për njerëzimin edhe në kohë të trazuara.
