Pacientë të Spitalit Onkologjik kanë ngritur shqetësimin për mungesën e medikamenteve të rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve tumorale, mes tyre edhe ilaçi “abiraterone”, i përdorur për trajtimin e kancerit të prostatës.
Një pacient ka deklaruar se prej rreth një muaji nuk ka mundur të marrë medikamentin, ndërsa thekson se nuk ka mundësi financiare për ta blerë në tregun privat.
Sipas tij, situata është shumë e vështirë për pacientët që përballen me sëmundje të rënda si kanceri. Ai shton se për ekzaminime të rëndësishme, si PET-scan, është detyruar të udhëtojë në Itali për shkak të mungesës së pajisjeve në Shqipëri.
Pacienti ka ngritur gjithashtu shqetësime edhe për mungesën e lenteve për ndërhyrjet e kataraktës në spitalin francez në Tiranë, duke pretenduar se kjo situatë vazhdon prej rreth një viti.
E kontaktuar për këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se, sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, po punohet për vijueshmërinë e furnizimit me medikamentin abiraterone.
Sa i përket lenteve për ndërhyrjet e kataraktës, ministria ka sqaruar se operacionet nuk janë ndërprerë dhe se ndërhyrjet po kryhen sipas një prioritizimi të rasteve nga mjekët e shërbimit, deri në lidhjen e kontratës së re për furnizim me lente.
