Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 25 qershor me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurores së Tiranës, Eranda Laze. Parashtrimet për shkaqet e ankimit të ushtruar nga Komisioneri Publik Florian, Ballhysa ndaj konfirmimit të prokurores Laze u paraqitën nga prokurori Adnand Xholi i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Xholi deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit që lidhen me pasurinë dhe etikën dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi. Prokurorja Eranda Laze i cilësoi shkaqet si hipotetike dhe të pabazuara duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit të saj.
Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar. Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin. Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.
Ndërsa pakica çmoi se Laze nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente banimi në Tiranë, të blera për vlerën 81,284 Euro dhe të një automjeti. Pakica arsyetoi se pretendimet e subjektit nuk mbështeteshin nga deklarimet periodike dhe as nga faktet e rezultuara nga hetimi administrativ.
Vendimi i shumicës së Komisionit u gjet i pabazuar dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që pasi evidentoi probleme për pasurinë dhe etikën, u kërkoi Komisionerëve Publikë përmes një rekomandimi, që të ushtronin ankim në Kolegj.
