Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se i ka paraqitur të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vërejtjet e saj për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga blloku.
Presidenca e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se Osmani i ka thënë Sorensenit se këto vërejtje “duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.
Në tetor të vitit 2023, BE-ja u dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një draft-statut, që e cilësoi modern, për formimin e Asociacionit. Dokumenti u mbështet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Atëbotë, Osmani kishte thënë se ky dokument duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.
