Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi se Shqipëria ka shënuar zhvillime pozitive në mbrojtjen e gazetarëve dhe përmirësimin e kuadrit mediatik, por theksoi se liria e medias vazhdon të përballet me sfida që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.
Gjatë konferencës rajonale për median në Evropën Juglindore, të zhvilluar në Tiranë, Tarran vlerësoi krijimin e një pike kontakti në Policinë e Shtetit për sigurinë e gazetarëve, si dhe ndryshimet ligjore që synojnë mbrojtjen e profesionistëve të medias.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias”, deklaroi ai.
Ambasadori theksoi gjithashtu se janë ndërmarrë hapa për përafrimin e mjedisit mediatik shqiptar me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë forcimin e kërkesave për transparencën e pronësisë së mediave.
Sipas tij, komuniteti mediatik në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në debatin publik dhe duhet të përfshihet në mënyrë aktive në proceset vendimmarrëse dhe diskutimet mbi politikat publike.
Një tjetër prioritet i përmendur nga Michel Tarran ishte edukimi mediatik në shkolla. Ai tha se prezenca e OSBE-së po mbështet integrimin e edukimit mediatik dhe informativ në kurrikulat zyrtare në Shqipëri.
Megjithatë, ambasadori paralajmëroi se problemet që lidhen me lirinë e medias mbeten të pranishme.
“Shqetësimet për sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike mbi mediat e pavarura, intimidimet online dhe fushatat e dezinformimit kërkojnë vëmendje të vazhdueshme”, u shpreh ai.
Tarran shtoi se nevojiten më shumë përpjekje për të garantuar transparencë, pavarësi editoriale dhe zbatim të qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore për gazetarët.
Në fjalën e tij, ai foli edhe për sfidat globale që po kalon media në epokën e inteligjencës artificiale dhe algoritmeve digjitale.
“Hapësirat publike të informacionit po fragmentohen në mijëra realitete paralele, të nxitura nga algoritmet dhe gjithnjë e më të cenueshme nga manipulimi”, deklaroi ambasadori i OSBE.
