“Organi i akuzës s’ka përmbushur urdhrin” – Ilir Beqaj përplaset me SPAK në GJKKO për çështjen e “Sterilizimit”, kërkon më shumë kohë për mbrojtjen

Data

Në GJKKO ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në lidhje me çështjen e njohur si “Sterilizimi”, e shoqëruar me debate dhe tensione mes palëve.

Përfaqësuesit e SPAK bënë të ditur se akuza është rikualifikuar nga “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”, duke deklaruar se i qëndrojnë plotësisht akuzave të ngritura.

Nga ana e tij, Beqaj kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se dokumenti i paraqitur nga prokuroria nuk përmban elementë konkretë, si vlera e dëmit apo veprime të drejtpërdrejta që e implikojnë atë personalisht. Ai deklaroi se organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin e gjykatës dhe kërkoi kohë shtesë për të përgatitur qëndrimin e tij.

Edhe mbrojtja ligjore e tij, e përfaqësuar nga avokati Ermal Yzeiri, ngriti dyshime mbi bazën ligjore të aktit të prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata të vlerësojë nëse janë respektuar kërkesat e mëparshme ose, në të kundërt, t’u jepet kohë palëve për përgatitje.

Ndërkohë, prokuroria argumentoi se dokumenti i paraqitur përbën një sqarim të mjaftueshëm të ndryshimit të akuzës dhe të procedurave të ndjekura deri në dërgimin e çështjes për gjykim.

Seanca u karakterizua nga përplasje verbale, ku Beqaj vuri në dyshim pavarësinë e prokurorisë dhe paanshmërinë e gjykatës. Në përfundim, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për t’u dhënë kohë palëve për sqarime të mëtejshme.

Seanca e radhës është caktuar më 28 prill, ndërsa pritet edhe një vendim mbi kërkesën e Beqajt për të qëndruar jashtë kafazit gjatë zhvillimit të gjyqit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related