Opozita ka nisur sot foltoren e radhës para godinës së Kryeministrisë, në vijim të aksionit të saj politik të paralajmëruar prej javësh. Në aktivitet kanë mbajtur fjalën qytetarë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët kanë artikuluar kritika të forta ndaj qeverisë dhe situatës politike në vend.
Sipas opozitës, foltoret dhe protestat do të vijojnë pa ndërprerje, si pjesë e një aksioni të përshkallëzuar pas zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale. Kërkesat kryesore mbeten largimi i kryeministrit Edi Rama dhe ngritja e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në protestën e sotme ka munguar kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në Strasburg, ku është paraqitur në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Organizatorët theksuan se aksioni opozitar nuk do të ndalet dhe se presioni qytetar do të rritet deri në realizimin e kërkesave të tyre politike.
