iAkseleratori linar, pajisja që realizon trajtimin jetik me radioterapi të pacientëve tumoralë në Spitalin Onkologjik të Tiranës, është në pjesën më të madhe jashtë funksionit pasi ka plotësuar “orët e punës”. Çdo shpenzime për mirëmbajtjen e tij është i kotë, konstatoi më herët Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi ka arritur “pikën e vdekjes”.
Zgjidhja është blerja e një aparature tjetër. Ajo ka një kosto 2-3 milionë euro, një shumë e konsiderueshme. Por, ajo vlerë nuk është e madhe për Shtetin dhe kjo mund të konfirmohet me një fakt të thjeshtë.
Strukturat shëndetësore, duke filluar nga Ministria e deri tek spitalet rajonale, kanë paguar një shumë të tillë, pra rreth 3 milionë euro vetëm për 12 muajt e fundit, në llogaritë e Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara (OBP), një shoqëri publike nën drejtimin e Arlinda Pogaj.
Kjo pagesë, e cila do të ishte mjaftueshme për blerjen e aparaturës shumë të nevojshme për trajtimin e pacientëve tumorale, në fakt është paguar për konsulencë në hartimin e dokumentave të tenderave të ndryshëm.
Prej mesit të vitit 2024, strukturat qeveritare qendrore dhe agjencisë në varësi të tyre, kanë paguar në total mbi 6 milionë euro për Operatorin e Blerjeve të Përqëndruara, që kjo e fundit të përgatisë letrat e tenderave.
Tarifë milionë euro mbi tenderat
Në vitin 2010, qeveria “Berisha” e asaj kohe, miratoi një vendim për kalimin nën përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme të disa tenderave për llogari të institucioneve të Ekzekutivit, kryesisht për blerje karburanti, uniformash, mobiljesh, etj.
Në vitet më pas, qeveria “Rama” e kaloi këtë kompetencë tek një institucion i ri në varësi të Ministrisë së Brendshme, e cila u emërtua fillimisht Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara dhe, më tej, Agjencia Shtetërore e Prokurimeve Publike.
Në çdo rast, kjo agjenci ishte shtetërore dhe funksiononte me fondet nga buxheti i Shtetit, si një ent qeveritar.
Në vitin 2023, qeveria e kryeministrit Edi Rama miratoi një ndryshim rrënjësor në funksionimin e kësaj strukture. Emërtimi i ri është Operatori i Blerjeve të Përqëndruara (OBP). Kjo agjenci e re u strukturua si një shoqëri tregtare me kapital publik dhe me aksioner kryesor Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të drejtuar në atë kohë nga Blendi Gonxhja.
