Numri i lartë i dosjeve hetimore, Altin Dumani hedh idenë për ngritjen e Prokurorisë së Apelit në SPAK

Data

Numri i lartë i dosjeve hetimore dhe ngarkesa e prokurorëve të SPAK, të cilët janë të detyruar të përfaqësojnë akuzën në katër shkallët e gjyqësorit, ka sjellë idenë e krijimit të një prokurorie Apeli të Posaçëm. Ideja është hedhur nga drejtuesi i prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi me përfaqësues të asistencës së huaj dhe stafin e prokurorëve të SPAK, ka sugjeruar për krijimin e një prokurorie Apeli, me qëllim që prokurorët e strukturës së posaçme të mos jenë të angazhuar me procese gjyqësore në Apel dhe në Gjykatën e Lartë. Diskutimi ka konsistuar se ashtu siç ekziston një Gjykatë Apeli, duhet të ekzistojë dhe një prokurori e posaçme Apeli, që do ndjekë rrjedhën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë. Sipas Ora News, ideja e kreut të SPAK, është në faktin se mbrojtja e akuzës në dy shkallët e tjera të gjykimin konsumon kohën e prokurorit, duke e ngadalësuar për kryerjen e veprimeve hetimore në dosje të tjera që regjistrohen rishtazi. Prej gati 4 vite, prokurorët e SPAK janë të detyruar të kryejnë veprime hetimore, ngrejnë akuzë mbi të pandehurit ose ti pushojnë ato dhe më pas vendimmarrjet e tyre duhet ti mbrojnë në Gjykatën e Posaçme të shkallës së Parë, në Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Lartë dhe deri në Gjykatën Kushtetuese. Kjo sjell një shpërqendrim të prokurorit i cili primare e ka hetimin, për të cilin janë shumë të larta pritshmëritë e opinionit publik. Por në kushtet e kornizës ligjore që sot ka Shqipëria, idea e Dumanit nuk mund të zbatohet, pasi gjatë ndërtimit të institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi, legjislacioni nuk parashikoi një Gjykatë Apeli të Posaçme. Për të arritur ngritjen e saj, tashmë duhet ndryshime ligjore që padyshim diskutimi i idesë së Dumanit, do transferohet në fushën e politikës. Dhe nëse politika nuk ka vullnet për të diskutuar apo miratuar idenë e kreut të SPAK, Altin Dumani, atëherë një variant i dytë mund të vihet në zbatim për ti dhënë zgjidhjes së kësaj ngarkese kohore. Varianti konsiston në krijimin e një seksioni brenda prokurorisë së posaçme, duke emëruar me urdhër të brendshëm dy ose tre prokurorë, të cilët do shkëputen nga hetimi dhe ngarkohen vetëm me përfaqësimin e akuzës në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related