Ish-zv.Komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari pas denoncimit që bëri disa ditë më parë për shembjen e Akademisë së Marinës në Vlorë, sot ka publikuar të dhëna të tjera, të cilat sikundër shkruan ai kanë të bëjnë me origjinën e pronës.
Meçollari shkruan se në vitin 1939 kur edhe janë bërë fotot, prona ku është ndërtuar Akademia e Marinës kishte pronar privat. Kjo pronë thotë ai, u ble nga Administrata Italiane e luftës dhe më pas u shtetëzua në vitin 1946.
Dhe teksa sjell gjithë kronologjinë e regjistrimit të pronës, Meçollarti thotë se ajo ka vetëm një pronar dhe ajo është Administrata Italiane.
“Një foto ajrore e vitit 1939 e pronës ku në vitin 1962 do të ndërtohej Akademia e Marinës.
Fotua është realizuar në vitin 1939 nga Forcat Ajrore Mbretërore të Italisë dhe gjendet në Arkivën Forcës Ajrore Italiane të Firences. Në këtë kohë kjo pronë kishte pronar privat.
Prona me të kuqe ku u ndërtua në vitin 1962 Akademia e Marinës, prej 42.961 m², i përkishte Administratës Italiane të Luftës mbas vitit 1940. Prona prej 900 m² (në anën veriore) nga viti 1932 deri në vitin 1946 i përkisnin Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Bashkisë së Vlorës (çentrali elektrik). Prona prej prej 42.961 m² u ble nga Administrata Italiane e Luftës në vitin 1940 dhe u shtetëzua në vitin 1946. Kjo pronë u shit nga pronarët dhe u ble nga Administrata e Luftës e Italisë që përfaqësohej nga kolonel Gualtiero Fratelli, Shef i Zyrës së Punëve Xhenjere në zyrën noteriale të Dr. Jonuz Tafaj në Tiranë.
