Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë dje në fuqi masën “arrest shtëpie” për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Berisha dhe Malltezi, kërkuan zëvendësimin e masës së sigurisë, kërkesë e cila u rrëzua nga Apeli i GJKKO-së. Gjyqtare e çështjes, ishte Ilirjana Olldashi, e cila është sulmuar vazhdimisht nga Berisha dhe dhëndri i tij. Dhëndri i Berishës, u paraqit rreth orës 09:00 të mëngjesit së djeshëm, i shoqëruar nga avokati i tij. Seanca zgjati rreth tre orë. “Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 13.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 182 akti, datë 04.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njoftoi Gjykata e Apelit.
Reagon Malltezi
Ndërkohë Jamarbër Malltezi duke folur dje para SPAK, në lidhje me raportimin 2 mujor të prokurorisë, është shprehur se, masat ndaj Sali Berishës janë të paligjshme. Gjatë deklaratës për mediat, Malltezi u shpreh se si në komunizëm edhe tani, janë armiq të komunistëve dhe për këtë gjë është krenar. “Lista numër 1 e armiqve të komunistëve janë 3 veta nga familja Begeja, pronare. Edhe në atë kohë si tani ishin shpallur armiq të komunistëve. Edhe sot në të njëjtën situatë jemi. Jemi armiq të komunistëve dhe jemi krenarë për këtë gjë. Sot ishim në Apel për diligjencën e 4, dy mujore të cilën gjyqtarja me tre mbiemra e ka dërguar me 1 muaj vonesë, sipas urdhrave.
Në 4 diligjenca nuk ka asnjë fjalë për Sali Berishën, nuk del askund, zero, zero, zero. Pavarësisht prokurorja politike thotë nuk ka ndryshuar asgjë. Çfarë do të ndryshoje, vetëm kur të dojë Edi Rama. Kjo është diçka e re që u nxor sot për gjykatën. Jemi në situatën ku masat ndaj Sali Berishën janë të paligjshme, ose janë të pavlefshme. Masat që u morën për kufizimin e lëvizjes, në rast se janë kufizim lirie janë të paligjshme, sepse nuk shkuan në parlament. SPAK dhe futi në këtë afërmendsh, thotë se nuk janë kufizim lirie. Por më pas nuk e ka zbatuar si jo kufizim lirie, por si kufizim lirie, e ka zbatuar menjëherë, ndërkohë që ligji ja kërkon pasi të marrë formë të prerë, pra është masë e pavlefshme”, deklaroi Jamarbër Malltezi gjatë deklaratës për mediat.
Reagon avokati i Berishës
Nga ana tjetër, duke folur për mediat dje, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj u shpreh dje gjykata po shkel ligjin. “Kjo është një marrëveshje e hapur mes SPAK dhe Gjykatës, që as ti nuk e bën kërkesën dhe as unë nuk respektoj detyrimin që kam ndaj ligjit. Vetë gjykata që ka vendosur masat nuk është e interesuar tani në fund që të shikojë se si kanë vijuar hetimet, sepse nuk kanë përfunduar hetimet”, deklaroi avokati Genc Gjokutaj për gazetarët. Më tej avokati i kryetarit të PD-së, Sali Berishës, Genc Gjokutaj, theksoi se SPAK po nxiton të dërgojë në gjyq çështjen ndaj ish-kryeministrit pasi ka frikë se mbaron afati i paraburgimit. I pyetur nëse ka llogaritur kur përfundon afati i masës së sigurisë, Gjokutaj tha:
“Matematika, kur mbarojnë, nuk është sekret hetimor, por diskrecion i mbrojtjes. Afatet e paraburgimit me afatet e hetimit janë dy gjëra të ndryshme. Këta nxitojnë sepse i detyron masa e sigurimit, e kufizimit të lirisë, se kanë frikë se u skadon, shuhet masa për shkak të kalimit të afatit tërësor. Dhe nxitojnë. Në rastin e Berishës këta besoj do të nxitojnë. Në raste të tjera, si rasti i Dakos, këta nuk nxituan dhe u shkau nga dora”. Sakaq Gjokutaj shprehu rezerva edhe për dosjen e SPAK.
