Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA u nda në vlerësimin e ankimit të kryer nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimmarrjes së Komisionit për përfundimin e vetingut të ish-kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla.
Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve.
Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, trupa që kreu vetingun e Ballës, vlerësoi në shumicë se ai e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.
Ndërsa pakica vlerësoi se, Balla, për shkak të veprimeve të tij ishte në kushtet e dorëheqjes e për rrjedhojë duhej të aplikoheshin dispozitat e nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionin që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Të njëjtin qëndrim paraqiti edhe Komisioneri Publik, që i kërkoi Kolegjit caktimin e sanksionit 15-vjeçar.
