SPAK ka regjistruar procedim penal ndaj ish ministres së shëndetësisë, aktualisht ministre e arsimit dhe sportit, Ogerta Manastirliu. Procedimi mban numrin 81, të vitit 2024 për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ky procedim është regjistruar pas kallëzimit të bërë nga deputetja e PD Albana Vokshi në vitin 2020, për keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet e Covid-19, kohë në të cilën Manastirliu drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Referuar kallëzimit të bërë nga Vokshi aso kohe, pretendohet se Manastirliu ka bërë tendera sekretë gjatë kohës që ishte ministre e shëndetësisë. SPAK po kryen veprime hetimore për Manastirliun, e cila në muajin shkurt u thirr në Prokurorinë e Posaçme për tu marrë në pyetje, për një çështje që ajo e cilësoi sekret hetimor. Në mars, Vokshi ka bërë një kallëzim shtesë për Manastirliun, duke shtuar në të, prova për tenderat sekretë. Sipas kallëzimit të deputetes demokrate, Ogerta Manastirliu kategorizoi si sekretë tenderat për mjetet dhe pajisjet mbrojtëse anti-Covid për të mos bërë transparencë me koston e fryrë të blerjes së tyre. Dosja përmend tendera për maskat, që sipas kallëzimit janë blerë 4 herë më shtrenjtë se tregu, tendera urgjentë për respiratorë dhe tendera për doreza dhe veshje mbrojtëse njëpërdorishme për mjekët. Sipas kallëzimit të PD-së, janë të paktën 15 procedura të klasifikuara sekret shtetëror në kundërshtim me ligjin për të fshehur kostot e fryra të tenderave.
Reagon Vokshi
Nga ana tjetër, vetë dje deputetja e PD-së, Albana Vokshi hodhi dritë mbi depozitimin e kallëzimit të saj në SPAK. Sipas të dhënave që publikoi Vokshi, dalloheshin qartë shkeljet skandaloze të bërë nga ministria e Shëndetësisë me tendrat sekretë, ku një maskë mbrojtëse të zhdoganuar me vlerën e 3 eurove, ministria e Shëndetësisë e ka blerë nëpërmjet kompanisë që ka zgjedhur si kliente të saj, me një vlerë prej 8.3 euro, në një kohë që në farmaci e gjeje për një vlerë prej 400 lekësh. “Me babëzinë që e karakterizon Ogerta Manastirliun zëvendësministrat dhe kushdo që ka marrë pjesë në procedurat e tenderave sekretë, te kjo tabela bëhet fjalë për njërin prej tenderave. Janë disa tendera që janë zhvilluar. E para është për maskat mbrojtëse, ku janë porositur 200 mijë maska mbrojtëse FFP2, zhdoganimi nga kompanitë që janë porositur nga ministria e Shëndetësisë, hyn me vlerën 3 euro dhe në të njëjtën ditë ministria e blen me 8.3 euro. Të njëjtën maskë unë e kam blerë në farmaci atë ditë për 400 lekë, të njëjtën maskë të cilën ministria e Shëndetësisë ia ka paguar këtij klientit të cilit i ka dhënë tenderin sekret. Dëmi është kolosal pasi nuk i dimë të gjitha. Janë veshje spitalore njëpërdorimshme, hynte me 9.6 euro dhe në të njëjtën ditë e paguante ministria te klienti që e kishte përzgjedhur për tenderin sekret, 28 euro, nga 9.6 euro e ka blerë me 28 euro të njëjtin produkt, trefishin. Çfarë e justifikon këtë?”, tha ajo.
