Edhe pse duken si të bashkuar, Rithemelimi i Sali Berishës në të cilin së fundmi është atashuar edhe Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë, vijon të ziejë nga debatet. Ditën e djeshme deputetja demokrate, Jorida Tabaku i ka dhënë një shuplakë të fortë ish-kryeministrit Sali Berisha dhe enturazhit të tij, të cilët i kanë shpallur luftë reformës në drejtësi, e veçanërisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Zonja Tabaku ka folur në një media dje sa i përket punës së Strukturës së Posaçme, teksa vlerëson se SPAK po tregon rezultatet, duke theksuar se paraqitja e kryebashkiakut Erion Veliaj në Prokurorinë Speciale është një moment i mirë. Sipas saj, drejtësia po prek nivelet e larta dhe po shkakton te zyrtarët frikën e ndëshkimit nga ligji. Madje Tabaku gjithashtu shtoi se tashmë është momenti që të krijohet një sistem i cili parandalon fenomenin e korrupsionit, duke thumbuar kështu ish-kryeministrin Sali Berisha i vënë nën hetim për korrupsion sa i takon aferës “Partizani”. “SPAK-u është duke treguar disa rezultate dhe për mua momenti kur kryetari i bashkisë hyri në SPAK është një moment i mirë. Lajm i mirë është që prek drejtësia edhe kur je në pushtet, shpresoj të shoh si do të evoluojmë kjo çështje. Nëse ne kemi masën tashmë të dënimit dhe shohim që administrata ka frikë të firmosë, ka frikë nga ligji, ne duhet të merremi me pjesën e parandalimit. Një strukturë, një administratë që e parandalon korrupsionin. Rastet që kemi parë kompani me kapital zero, me asete zero, me të ardhura zero, marrin tendera, ua japin familjarëve të tyre, rasti i bashkisë së Tiranës, rasti i inceneratorëve, janë tregues se nuk funksionon ligji i prokurimeve, as ligji i koncesioneve. Kjo strukturë duhet të ndryshojë, ngritja e një sistemi që e parandalon korrupsionin”, deklaroi ajo.
Tabaku: SPAK-u po u shkakton zyrtarëve frikë nga ndëshkimi
Ndërkohë ndryshe nga një pjesë e opozitës, sikurse është grupimi i Rithemelimit të cilët e quajnë SPAK-un të kontrolluar nga qeveria dhe “çetë partiake”, deputetja Tabaku thotë se ajo e vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme, por pret që drejtësia të ecë më shpejt. “Punën e SPAK e kam përshëndetur. S’kam thënë ndonjëherë që s’kam besim te SPAK. Kam shprehur mbështetjen për SPAK që të vazhdojë përpara dhe t’i hetojë këto afera. A dua që të ecet më shpejt? Po, patjetër që dua të ecë më shpejt. këto shembujt e ndëshkimit të korrupsionit bëhen shembuj edhe për nivelet më poshtë, kështu kultura fillon dhe instalohet edhe frika ndaj ligjit. Rastet që kemi parë, nuk kanë nevojë për shpjegim dhe për shumë hetim, të ndëshkohen nga drejtësia sepse kështu besoj do të japim shembullin se çfarëdo që ndodh në të ardhmen do të ndëshkohet”, u shpreh ajo.
Deputetja e PD sulmon qeverinë
Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama, teksa deklaroi se ligji për taksimin e profesioneve të lira po përdoret për fushatë elektorale nga qeveria.
Tabaku theksoi se ajo është pro taksave, por në këtë rast ka paligjshmëri dhe se rrezikohet mbyllja masive e bizneseve. Ajo tha se rregullimet e këtij ligji janë parashikuar që të ndodhin vitin që vjen, për arsye se në 2025-ën ka zgjedhje. “Ligji për taksimin e profesioneve të lira. Jam pro taksave, por ka paligjshmëri. Cenohet koncepti i këtyre bizneseve që janë të biznese të vegjël, profesionistë të lirë. Janë 29 mijë të tillë. Ata paguajnë tatim, por tani po iu kërkohet që të paguajnë ekstra. Janë të gjithë ata persona të profesioneve të lira. Ndërkohë ka premtime se taksa e profesioneve të lira po përdoret për t’u joshur për votën. Ata thonë se do e rregullojnë ligjin vitin tjetër, që përkon me zgjedhjet. Kam pasur shumë debate me zotin Braçe, se dua ta dalloj nga socialistët. Ai thotë se një punë nuk ka pse të jetë e patatuar. Mund të jetë abuzuar me këto raste, siç mund të jetë me mjekët. Kjo është pjesë e gabimeve të qeverisë, që ka bërë taksim të padrejtë. Sot duhet të kishim një sistem që e motivonte dhe stimulonte punën dhe jo ta taksonte kaq shumë. Pse po largohen sot njerëzit? Largohen se ka padrejtësi”, nënvizoi deputetja Tabaku.
