Për të 37-ën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e 36-të, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.
Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.
