Prince Harry dhe Meghan Markle kanë zgjedhur këtë vit një kartolinë krejt ndryshe nga tradita mbretërore për të uruar festat e fundvitit. Çifti publikoi në rrjetet sociale një foto private familjare, ku shfaqen së bashku me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.
Fotografia i paraqet të katër në një ambient natyror, mbi një urë të vogël prej druri, të rrethuar nga pemë dhe dritë natyrale. Imazhi përcjell një moment intim dhe të ngrohtë familjar, larg pozave formale dhe protokollit zyrtar që karakterizon zakonisht kartolinat e familjes mbretërore. Archie shihet duke përqafuar të atin, ndërsa Lilibet mban duart e Meghan-it, duke krijuar një skenë të thjeshtë dhe emocionale.
“Gëzuar festat! Nga familja jonë për të gjithë ju”, ishte mesazhi që shoqëronte kartolinën.
Edhe pse ndryshe në stil, kartolina e Harry-t dhe Meghan-it lidhet me një traditë që daton që nga viti 1923, kur anëtarët e familjes mbretërore britanike nisën të ndanin publikisht urimet e tyre për Krishtlindje. Çdo vit, figura të rëndësishme të monarkisë ndajnë imazhe festive, të cilat zakonisht synojnë të transmetojnë stabilitet, vazhdimësi dhe optimizëm.
Në dallim nga kjo qasje klasike, Harry dhe Meghan kanë zgjedhur edhe një herë të theksojnë jetën e tyre familjare larg pallatit, duke vendosur natyrën dhe spontanitetin në qendër të urimit të tyre festiv.
