Nga avancimi i reformës në drejtësi, te lufta kundër korrupsionit, zbardhen detajet nga takimi i Spiropalit me…

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura për të mbështetur vendin tonë në fusha të ndryshme, duke konfirmuar se SHBA-të janë aleati më i vyer dhe strategjik i Shqipërisë. Gatishmëria dhe mbështetja është dhënë ditën e djeshme nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn gjatë një takimi që pati me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Kjo e fundit përmes një statusi në rrjetet sociale, por edhe përmes zyrës së saj të shtypi, zbuloi se në fokus ta takimit me diplomaten VanHorn ka qenë partneriteti strategjik mes dy vendeve, forcimi i institucioneve të pavarura, avancimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, instalimi i shtetit ligjor dhe investimet amerikane në Shqipëri. Po ashtu, sipas njoftimit thuhet se gjatë takimit, diplomatja amerikane VanHorn e uroi Spiropalin me rastin e zgjedhjes Kryetare e Kuvendit dhe shprehu gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit dhe Ambasadës së ShBA, për mbështetjen e zhvillimit, demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.

“Një takim i ngrohtë me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së ShBA, znj.Nancy VanHorn. Bashkë me urimet recpiroke, shprehëm gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadës së SHBA, për mbështetjen e zhvillimit, demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Diskutuam mbi partneritetin strategjik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve amerikane në Shqipëri, rolin e Kuvendit në thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës, avancimin e procesit të anëtarësimit në, fuqizimin e institucioneve të pavarura, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët. E njoha të Ngarkuarën me Punë, znj.VanHorn, me disa nga prioritetet e punës së Kuvendit dhe të sesionit të ri parlamentar, duke nënvizuar se në detyrën e Kryetares së Kuvendit do të udhëhiqem nga Kushtetuta, ligjet, përpjekjet maksimale për konsensus, konstruktivitet, racionalitet e transparencë, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha grupet parlamentare dhe opozitën”, shkroi dje në rrjetet sociale kryeparlamentarja Spiropali. Nga ana tjetër sa i takon takimit mes diplomates Nancy VanHorn dhe zonjës Elisa Spiropali dje reagoi në rrjetet sociale edhe ambasada e SHBA në Tiranë. “E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali për të rikonfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe për të mësuar mbi prioritetet e Kryetares për Parlamentin”, shkroi dje ambasada e SHBA në Tiranë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related