“Nexhmija tha se i prishej lëkura”- Maska mortore e Enver Hoxhës, kush e ideoi dhe ku ndodhet ajo sot! Çfarë ndodhi një javë pas vdekjes së ish-diktatorit komunist

Data

BEN ANDONI/ Nuk flet më. Ka kohë që duhet të jetë diku, ku në tokën e tij nuk e deshifrojnë dot. Shumë e kanë dërguar në Ferr, ndërsa të tjerë, po me aq siguri në Parajsë. I fundmi Karonti, që mund të japë një përgjigje të saktë, është i paperceptueshëm…ashtu si edhe imazhi i fundit në allçi i tij, përgatitur nga duar artistësh.

Me kujdes e marr maskën e tij të vdekjes dhe dorën ia vendos po me aq kujdes anash. Kaq ka mbetur nga materia e Enver Hoxhës. Kaq dhe asgjë më shumë. Por, ndoshta e mjaftë për të hipotezuar se kjo ishte një rrugë, që njerëzit rreth tij… e menduan se do e paqtonte me Zotin…Ndërkohë kam arritur në portën e hapshme të muzeut, pas kalimit të disa dyerve syresh, ku më kot jam munduar të gjej maskën mortore të Enverit. Për fat, kartelat që shfleton indiferent një “magazinier” i fundit… na japin udhën: “Ah… ja ku qenka”, – thotë ftohtas. Sikur të flitet për një gjë krejt pa rëndësi, burokrati më lëshon një sërë justifikimesh pafund. Por, ajo është. Është matrikulli 3786… në Muzeun Kombëtar.

RETROSPEKTIVA

Unë u propozova që Maska duhej të përgatitej shpejt – kujton Muntaz Dhrami, skulptori para të cilit ai pozoi shpesh në të gjallë dhe njeriu që u ngarkua t’i merrte maskën mortore. Nuk ramë dakord sepse Nexhmija na tha se i prishej lëkura, ndërsa ne duhet të kishim kontakt me portretin e tij. U thamë që nuk prishet lëkura, ndërsa ata vazhdonin të këmbëngulnin që prishet dhe… Sulo (Gradeci) pastaj na komunikoi që ajo do merrej pasi të mbaronin homazhet . Kaloi një javë që u bënë homazhet. Ndërkaq trupi degradohej dhe fytyrës i iknin ato tiparet karakteristike. Në fund, ditën që do merreshim me maskën, pamë se ishte transformuar fizionomia e tij. Format kishin ndryshuar, ndërsa hunda e kishte humbur profilin e vet, çdo gjë ishte jashtë karakterit, por ne e morëm maskën”, – përfundon skulptori 70-vjeçar që nuk di më nga ajo ditë të jetë folur për maskën e Enverit. Në fakt, maska mortore nuk i hynte më në punë. Të paktën atij, para të cilit kishte pozuar shpesh… Të ishte thjesht një trill i liderëve komunistë për përjetësinë në mendjen e njerëzve apo thjesht një paqtim. Në vitet paslufte, dikush nga skulptorët shqiptarë kishte sjellë kopjen në Tiranë të maskës mortore të Leninit. Duhej të jetë ende në shtëpinë e njërit prej artistëve të kryeqytetit, ashtu si shumë syresh në gjithë Lindjen. Dëshira e njerëzve mbetej deri në përjetësimin material, sepse sa për atë shpirtëror nuk pranohej…Të paktën në dukje. Paçka se para vdekjes, komunistët ktheheshin si gjithë të tjerët, frikësuar në kulm…nga ankthi i amshimit.

“…Kur vdiq Fishta, na françeskanët patëm thirrë nji jezuit italjan, Fr. A.Sala, që ishte skulptor; ai i nxuer maskën mortore, të cilën na e pruni në dy kopje allçije. Prej tyne, një ish nxanës i liceut tonë, Tomë Leci, pat nxjerrë kallëpin nga i cili punoi edhe gjashtë copë të tjera, të cilat i shpërndamë ndër miq e dashamirë për t’i ruejtë, mbasi pushteti “i ri” përpiqej me zhdukë çdo gjurmë të Fishtës, e jo ma maskën e fytyrës së tij”, kujtoj fjalët e At Zef Pllumit , një prej pak të mbeturve gjallë nga njerëzit që e kanë njohur Fishtën. Por, françeskanët luftonin dhe e dinin se maska ishte më shumë se maskë…ajo përbënte vetë landën, ku ishin pjesëzat e shpirtit të poetit. Pse jo edhe mbrojtjen materiale e tokës ndaj tyre. Ishin kohë të këqija, për njerëzit e Zotit. E kush mund t’i zhdukte këto pjesëza… Ndaj, në dukje, askush nuk “kujtohej” për to.

MASKA E ENVERIT

Në fakt, pak kujtohen edhe sot për maskat mortore. Ndërsa, drejtorët e Institucioneve Qendrore, thjesht habiten dhe askund nuk bën përshtypje kërkesa për gjetjen e tyre. Madje, as njerëzve, që e kanë ndër ruajtje. “Ah…pa ta shohim edhe njëherë!”, reziston sërish njeriu i muzeut. I tejngathët, burokrati të radhës, para të cilit kam mbetur- duket se as nuk i bën aspak përshtypje, ekzistenca e maskës mortore të Enver Hoxhës. Është përgjegjësi i një biçim mini-arkivi, ku me elementë sigurie të shkallës së lartë, ruhen disa nga reliket e personazheve VIP të historisë shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar. Por, nuk i bën përshtypje ky rol, veçse ka gjëra interesante në dorë. Kërshëria ime mbetet në përpjesëtim të drejtë me indiferencën e tij. E përfytyroj si rojtarin e Kafkës, por kjo nuk më ndihmon, që t’i deshifroj ftohtësinë e frikshme. Jam në dëshirën e tij ose më thjesht nën autoritetin e begenisjes së tij. E këtë burokrati e di mirë. Prej javësh mundohem të bëj një research për maskat mortore të shqiptarëve. Por ajo më rezulton e pafat. E di se kjo traditë tejantike është përcjellë me besnikëri deri në ditët tona. Dhe, më shumë sesa besnikërinë ndaj të parëve thjesht e hamendësoj falë dhe leximeve- si një ruajtje nga zemëratat e Zotit të madh. Francezët e Revolucionit nga anatema shkallmuan gjithçka duke përfshirë dhe maskat e të parëve të tyre, ndërsa anglezët sqimatarë deri në fund ditën të ruajnë… Me këtë logjikë, mundohem të ndjek këtë rit sesi ka qenë në Shqipëri. Kam dëgjuar se ka ekzistuar maska e Avni Rustemit, di përpjekjen e françeskanëve për të pasur të ruajtur imazhin mortor të Gjergj Fishtës dhe më pas…përpjekjen e disave prej liderëve komunistë…Koha dhe kërkimi sërish nuk mjaftojnë. Ca më shumë, njerëzit që mund të thonë diçka. Për Mbretin nuk thonë asgjë. Askujt, qoftë edhe etnografëve tanë- duket se nuk i intrigon shumë qenësia dhe domethënia e maskave, të paktën e komunistëve. Jo çuditërisht, kujtesa të përçon direkt në librat e Hoxhës, që bajagi ruajnë një gamë të gjerë titujsh, ku Zoti shpesh nuk është argument i dorës së dytë dhe që duket nuk kanë qenë thjesht stoli në bibliotekën e tij. Të ketë pasur frikë Enveri nga Providenca?! Këtë askush nuk e di, por që Zoti ka qenë ide që atë e grishte nuk ishte e re. Me anatemën “de jure”… por nga ana tjetër dhe me kujdesin “e rastësishëm”… E tregojnë të skandalizuar Hoxhën për prishjen e Kishës së madhe të Vaut të Dejës (një nga trashëgimitë e pakta të periudhës romanike), paçka se nga ana tjetër nuk i bëri përshtypje fare shkatërrimi i një sistemi…të tërë fetar. Nga ta dish më…

MUNDIMI PËR…

Nga kjo gamë mendimesh të zgjon, ruajtësi mortor i tij. “Ja ku është”-e shoqëron veprimin e tij duke marrë plastmasin e pastër, që ka mbështjellë maskën që gjendet brenda një kutije… Enveri prehet symbyllazi. E këtë pozicion e ruan edhe mbi copëzën, që ia shtrojmë për t’i bërë kontrast, punimit në allçi. Këtë kujtoj, teksa punonjësi i Muzeut ka formuar kodin dhe ne futemi falë numrit të protokollit 3786. Ka qenë i vetmi element, që të identifikojmë sakaq Enverin strehuar në një kuti të thjeshtë kartoni. “Të ishte pak më andej…unë s’kam kohë…sepse më duhej të lëviznim”, më thotë me një aradhë fjalësh tutkuni burokrati, që unë e vlerësoj për skrupulozitetin. Teksa ai bën fjalë, unë i bëj vend Enverit. I rregulloj maskën, dorën ndanë dhe filloj fotografimin…

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related