Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lënë sërish ambientet e paraburgimit mëngjesin e kësaj të mërkure për të marrë pjesë në pritjen e ngushëllimeve pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Metaj.
I shoqëruar nga efektivët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nën masa të posaçme sigurie, Meta është transportuar nga burgu 313 drejt Rogner Hotel Tirana, ku po zhvillohet ceremonia e pritjes së ngushëllimeve.
Sipas informacioneve, pritja ka nisur në orën 09:00 dhe do të vijojë deri në orën 21:00, ndërsa familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe personalitete të jetës publike pritet të marrin pjesë për të shprehur ngushëllimet e tyre.
Kjo është hera e dytë brenda dy ditëve që Meta largohet nga ambientet e paraburgimit. Një ditë më parë, ai mori pjesë në ceremoninë mortore të të atit në fshatin Çepan, ku Rexhep Metaj u përcoll për në banesën e fundit.
Dalja e ish-presidentit është realizuar me autorizim të autoriteteve kompetente dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme të forcave të sigurisë, në përputhje me procedurat e parashikuara për raste të tilla.
