Nën hetim nga SPAK, Balluku ndërhyn në Dogana/ Largimi i Gazhelit dhe emërimi i një figure të afërt ngre dyshime

Data

Pavarësisht se ndodhet nën hetim nga SPAK për procedura tenderuese dhe çështje të tjera me peshë penale, zv/kryeministrja Belinda Balluku ka vijuar të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë në emërime dhe lëvizje në institucionet kryesore të shtetit.

Sipas burimeve, Gent Gazheli është larguar nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave pas afro gjashtë vitesh në këtë post. Në vend të tij është emëruar Besmir Beja, i cili deri më tani ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave dhe konsiderohet si një figurë e afërt me Ballukun.

Largimi i Gazhelit është shoqëruar me “sistemimin” e tij në një post tjetër qeveritar, atë të zëvendësministrit të Mjedisit, një lëvizje që në qarqet politike interpretohet si transferim i butë për të shmangur përplasjet dhe reagimet publike.

Këto zhvillime po ndodhin në një moment delikat, kur ndaj Ballukut rëndojnë akuza për ndërhyrje në procedura shtetërore, si dhe dyshime për ndikim mbi hetimet, përfshirë intimidimin e dëshmitarëve dhe rrezikun e prishjes së provave. Kritika të forta janë ngritur edhe nga analistë dhe gazetarë, të cilët vënë në pikëpyetje faktin se, ndonëse e pandehur, ajo vazhdon të marrë vendime me ndikim të lartë administrativ dhe financiar.

Sipas këtyre analizave, lëvizjet në Dogana dhe institucione të tjera kyçe shihen si pjesë e një strategjie për të ruajtur kontrollin mbi hallka të rëndësishme të administratës publike, në një kohë kur proceset hetimore janë ende aktive.

Vijimi i emërimeve dhe ndryshimeve strukturore, paralelisht me zvarritjen e vendimmarrjeve parlamentare për kërkesat e SPAK, ka shtuar shqetësimet se drejtësia po përballet me pengesa institucionale dhe presion politik, ndërsa çështja Balluku mbetet një nga testet më të forta për pavarësinë e sistemit të ri të drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related