Vjeshta e këtij viti pritet të jetë tepër e rëndësishme për Shqipërinë sa i takon rrugëtimit të saj drejt BE-së. Konferenca e dytë ndërqeveritare për Shqipërinë pritet të mbahet në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit. Ministri i Jashtëm Igli Hasani, në konferencë për mediat, deklaroi dje se Shqipëria ka përfunduar grup kapitullin e parë pritet vetëm konfirmimi nga ky mekanizëm, ndërsa është gati për të nisur diskutimet për grup kapitujt e dytë negociues. “Po punojmë që konferencën e dytë ndërqeveritare ta zhvillojmë në fund të shtatorit fillim tetorit. Jemi gati dhe kemi qenë gati prej një viti.
Grupi kapitulli i parë është i përfunduar, i definuar, qartësuar dhe thjesht pret këtë mekanizëm për tu cilësuar i hapur. Jemi gati edhe për dy grup kapitujt e tjerë. Grupi negociator po punon intensivisht në mënyrë që pengesat politike mos ndërhyjnë në axhenden teknike. Jam optimist që kjo vjeshtë do të çojë shumë gjëra përpara e do të zhvillojë shumë mekanizma të mirë dhe do të jemi të përgatitur me konfigurimin e ri të KE-së që të ecim shumë shpejt në rrugëtimin tonë me fokus drejt BE-së”, tha ai. I pyetur për bllokadën që Greqia i vendosi Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian për shkak të çështjes “Beleri” e që krijoi krisje mes dy vendeve, Hasani ishte optimist për një marrëdhënie më të relaksuar me Athinën duke pohuar se janë në diskutime e negociata të vazhdueshme
“Në historinë e dy popujve, dy prej realiteteve më të vjetra në rajon, një individ nuk mund të prishë një marrëdhënie shumëshekullore. Jemi pikërisht në këtë fazë që vlerësojmë maksimalisht fqinjët tanë direkt që janë Greqia, Italia dhe Turqia. Nga ana tjetër gjithë angazhimi është për shqiptarët në rajon dhe ky është fokusi i punës që do të kemi në rajon. Angazhimi ka qenë gjatë këtij viti për çështjen e hapjes së kapitullit të parë. Ka qenë diskret e jo me mikrofona. Jemi në rrugën e duhur”, tha Hasani.
