Numri i të punësuarve buxhetorë në njësitë e pushtetit vendor arriti në 37 mijë në vitin 2023, me një rritje me 12% kundrejt vitit 2019 dhe me rritje gati 90% në krahasim me vitin 2015. Rritja dramatike e numrit të punonjësve në pushtetin vendor përgjatë dekadës së fundit vjen në një kohë kur popullsia faktike e pranishme në territorin e pothuajse të gjitha bashkive ka rënë, gjë që nënkupton nevojën për më pak punëtorë për të kryer shërbimet përkundrejt popullsisë së mbetur.
Të dhënat zyrtare të analizuara nga BIRN tregojnë se numri i të punësuarve në njësitë e qeverisjes vendore para reformës së vitit 2015 ishte vetëm 20 mijë ndërsa në vitin 2023 është rritur në 37 mijë. Arsyeja kryesore e reformës së vitit 2015 ishte që, përmes reduktimit të njësive të qeverisjes vendore nga 394 në 61, të mund të uleshin kostot administrative dhe të çliroheshin fonde në dispozicion të investimeve për rrugë, ujësjellësa apo kanalizime, apo për të krijuar sistemin e grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave, funksione këto kyçe të pushtetit vendor.
Pushteti vendor është administruar nga kryebashkiakë socialistë nga viti 2019 e deri në vitin 2023 në gjashtëdhjetë nga gjashtëdhjetë e një bashki, ku Shkodra ishte përjashtimi i vetëm. Mandati 2019-2023 u krijua pas refuzimit të opozitës kryesore për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2019, gjë që bëri që socialistët të kontrollonin jo vetëm kryetarët e bashkive por edhe shumicat dërrmuese të këshilleve bashkiake.
Përgjatë këtij mandati, numri i të punësuarve në pushtetin vendor u rrit nga 33 mijë në 37 mijë ose me 13%. Në 50 nga 61 bashkitë e vendit mandati u shoqërua me rritje të numrit të të punësuarve, ndërkohë që supozohet se pushteti vendor ka nevojë të rrisë investimet për shërbimet publike bazë, ujësjellësa, kanalizime, rrugë rurale apo pastrim e gjelbërim. Në trembëdhjetë bashki në fakt rritja e numrit të të punësuarve është në një masë jo më të madhe se sa 5% për katër vjet ndërsa në vetëm 11 bashki, numri i të punësuarve faktikë nuk u rrit ose pësoi rënie. Shumica e bashkive në të cilat numri u ul ose nuk u rrit në mënyrë domethënëse janë në fakt bashki të vogla për nga numri i popullsisë.
