Përplasjet brenda Partisë Demokratike vijojnë të thellohen pas deklaratës së kreut të saj, Sali Berisha, i cili paralajmëroi se kushdo që i bashkohet aktivitetit politik të Ervin Salianji “i ka mbyllur hesapet me Partinë Demokratike”.
Pas reagimit të Salianjit, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e ish-kryetarit të PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu, i cili ka refuzuar publikisht deklaratat e Berishës.
Në një reagim të shkurtër në rrjetet sociale, Kadiu shkruan se anëtarësimi dhe angazhimi i tij në Partinë Demokratike nuk lidhet me asnjë individ të veçantë dhe se askush nuk mund ta përjashtojë për bindjet e tij politike.
“Nuk më ka futur Salianji në PD, o doktor… dhe nuk më përjashton dot as ti!”, shkruan Kadiu.
Reagimi i tij vjen në një moment tensionesh të shtuara brenda selisë blu, pas takimit të organizuar nga Salianji në Tiranë, ku morën pjesë një numër demokratësh dhe mbështetësish të tij.
Deklaratat e Berishës, sipas të cilave pjesëmarrja në aktivitetet e Salianjit përbën një veprim kundër Partisë Demokratike, kanë nxitur reagime të shumta nga figura të ndryshme të partisë, të cilat kërkojnë më shumë debat të brendshëm dhe hapësirë për mendimin ndryshe.
Polemikat e ditëve të fundit po nxjerrin në pah ndarjet dhe pakënaqësitë që ekzistojnë brenda Partisë Demokratike, ndërsa debati për të ardhmen e opozitës dhe mënyrën e drejtimit të saj mbetet i hapur.
