Në prag të ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh urimi dhe mirënjohjeje për punonjësit e policisë dhe qytetarët, duke theksuar angazhimin maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festimeve.
Në fjalën e tij, Proda vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të policisë gjatë një viti të vështirë dhe sfidues, ku përgjegjësitë kanë qenë të mëdha dhe shpesh siguria personale dhe familjare është vënë në plan të dytë në shërbim të qytetarëve.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e Dëshmorëve të Policisë, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet një vlerë e përhershme për shoqërinë dhe historinë e vendit. Falënderime u përcollën gjithashtu për qytetarët, mediat dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë, për bashkëpunimin dhe besimin e ndërtuar gjatë vitit që po mbyllet.
Drejtori i Policisë theksoi se strukturat policore janë në gatishmëri të plotë në çdo cep të vendit, me qëllim që ndërrimi i viteve të zhvillohet në qetësi dhe siguri për të gjithë.
Në përmbyllje, ai uroi shëndet, paqe dhe mbarësi për vitin 2026, duke nënvizuar se vetëm përmes përgjegjësisë dhe besimit të ndërsjellë mund të ndërtohet një vend edhe më i sigurt në vitin e ri.
