Në kuadër të turit të aktiviteteve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, zhvilloi një takim me strukturat dhe mbështetësit socialistë në qarkun e Kukësit, ku përcolli mesazhe optimiste për të ardhmen politike të kësaj force.
Gjatë fjalës së tij, Klosi vlerësoi kontributin e socialistëve të Kukësit ndër vite, duke theksuar se ky qark ka dëshmuar se përkushtimi dhe vullneti politik kanë mbajtur të fortë Partinë Socialiste edhe në sfidat më të vështira.
Ai shpalosi gjithashtu ambicien e PS-së për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke deklaruar se objektivi është që të tre bashkitë e qarkut të drejtohen nga përfaqësues socialistë.
“Vijmë për të korrur fitoren e radhës dhe pse jo, në garën e ardhshme elektorale, të tria bashkitë të drejtohen nga socialistë”, u shpreh Klosi.
Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar si një nga arritjet më të rëndësishme të qeverisjes socialiste. Ai theksoi se Partia Socialiste ka luajtur rol kyç në avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe se miratimi i qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për raportin e piketave të ndërmjetme përbën një tjetër hap të rëndësishëm në këtë rrugëtim.
Sipas Klosit, socialistët kanë kontribuar në zhvillimin e vendit për më shumë se tre dekada dhe kanë qenë faktor kryesor në forcimin e identitetit europian të Shqipërisë.
“Jemi krenarë që përfaqësojmë Partinë Socialiste të Shqipërisë. Për 35 vite me radhë i kemi shërbyer vendit tonë dhe sakrifica jonë ka qenë gjithmonë për Shqipërinë. Askush më mirë se socialistët nuk ia ka dalë ta çojë Shqipërinë në majat më të larta”, deklaroi ai.
Klosi u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të vijojë të jetë forca kryesore politike në vend, duke fituar sfidat e ardhshme elektorale dhe duke udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Aktiviteti në Kukës u mbyll me një moment simbolik, ku disa prej themeluesve të Partisë Socialiste në këtë qark u nderuan me certifikata mirënjohjeje dhe medalje për kontributin e tyre ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e partisë.
