Një pjesë e mirë e eurove të fituara nga Talo Çela përmes grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit” në prill 2019 dhe eurove të fituara nga seriali i vrasjeve Peqin-Elbasan, janë investuar nga familja e Talos në Tiranë dhe Sarandë, kryesisht në biznes dhe blerje apartamenti.
Ndërkohë nga hetimi është provuar se një pjesë është groposur në një fshat të Gjirokastrës të quajtur Cepo, ndërsa pjesa tjetër mbahej nga Talo në baza të fshehta ku strehohej me qëllim mos rënien në duart e policisë kriminale.
Bisedat e zhvilluara në “Sky”, kanë zbuluar se shumat financiare Talo Çela i pastronte përmes gruas së tij, Matilda Hoxholli, dhe një pjesë përmes vajzës së tij, A.H.
Policia dhe BKH ka rënë krejt rastësisht në gjurmë të vajzës së Talos, pasi nga bisedat ai fliste me vajzën A.H, por njëherësh u kuptua se kishte përdorur një mekanizëm shumë të veçantë për të zhdukur emrin e tij dhe nga fëmija biologjik.
Qëllimi ka qenë që “Dhelpra” të mos linte gjurmë mbi lidhjet e ngushta të familjes, çka do sillte një detaj më shumë për të mos u ndjekur nga policia, përmes vajzës apo gruas së tij.
