Pavarësisht alarmit që ngritën amerikanët, qeveria refuzon të mbajë përgjegjësi për skandalin e transportit të qindra tonelatave të mbetjeve të rrezikshme të dala nga porti i Durrësit dhe të evidentuara në Tailandë dhe Kinë. Dy ditë më parë organizata jo qeveritare amerikane “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” i tha “Zërit të Amerikës”, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike.
Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike dhe që rrezikoi qytete si Tirana, Durrësi apo Elbasani. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha “Zërit të Amerikës” se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.
Reagon qeveria
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka folur dje për herë të parë për skandalin e 800-ton mbetjeve toksike të cilat u kapën në Tajlandë. Opozita akuzon autoritetet shtetërore se po përpiqen të fshehin ngjarjen, kujtojmë deklaratat e Ministrisë së Mjedisit, Drejtorisë së Doganave dhe Portit të Durrësit të cilat hidhen “degë më degë” për ta lënë fajin jetim. Të gjitha deklaratat e institucioneve shtetërore duket se janë të dirigjuara në deklaratat e tyre nga zyra e kryeministrisë, nga ku doli edhe Balluku, e cila dje bëri një përpjekje për ta zvogëluar skandalin në një çështje konkurrence, ku jovetëm që hoqi përgjegjësinë nga vetja si ministre e Transporteve, por mori në mbrojtje edhe Portin e Durrësit që gjatë kohës që ka ndodhur skandalin drejtohej nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. “Nuk është asgjë e re, sigurisht ka edhe ekspertë të tranzitit të mbetjeve toksike.
Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka asnjë lidhje me këtë proces. Janë proceduar nga një koncesionar që operon në Portin e Durrësit. Autoriteti portal dhe koncensionari që ka kryer transportin janë dy entitete konkurrente”, tha Balluku. Gazetarët e pyetën Ballukun për skandalin dhe ligjin e mazhorancës për ligjin e mbetjeve, kur mazhoranca kishte deklaruar se e kishte siguruar kontrollin në Portin e Durrësit. Balluku këmbënguli përsëri në pafajësinë e Portit të Durrësit (në varësi të saj) duke sulmuar mediat se po bën “pis” portin e Durrësit, kur dihet nga të gjithë se ky port është kthyer në një autostradë të trafikut kombëtar e ndërkombëtar. “Ke ardhur me një pyetje të përgatitur, edhe njëherë për ata që kanë bërë pyetjen, Autoriteti Portual i Durrësit nuk ka as tagër, as ekspertizë që të kontrollojë çdo kontenier se çfarë përmban. Nuk besoj se mbetet te media që të bëhet pis Porti i Durrësit, përqendrohuni te koncensionari. Do t’i bëja thirrje medias që të tregohen të kujdesshme tek analizojnë këtë çështje”, tha Balluku.
Reagon PD
Ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi teksa i është përgjigjur ministres Belinda Balluku për transportin e mbetjeve toksike, thotë se asnjë aferë nuk mund të bëhet pa mbështetjen e autoriteteve shtetërore. Sipas Gazment Bardhit, edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore. Bardhi paralajmëron se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje. Kreu i Grupit te PD, thotë se siguron qytetarët shqiptarë se “nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”.
Porti i Durrësit sipas “tortës Belinda” nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike. Në fakt prej kohës Porti i Durrësit është shndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore por nga krimi i organizuar. “Torta Belinda” e di më mirë se kushdo tjetër këtë, prandaj dhe nervozizmi, sulmi ndaj medias e opozitës dhe “faji i mbetur jetim” është e vetmja rrugë që i ka mbetur.
