Sa është shuma e ndihmave amerikane që është ndarë dhe ku shkojnë këto ndihma janë dy pyetje kyçe ndërsa administrata e Presidentit të zgjedhur Trump përgatitet të marrë detyrën në janar.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton për disa sektorë ku priten shkurtime dhe të tjerë që mund të jenë përparësi.
Nga furnizimet mjekësore për Indinë e deri te ndihmat ushqimore për Gazën, Shtetet e Bashkuara dhurojnë më shumë ndihma për vende të tjera se çdo vend tjetër në botë.
Në vitin 2022, Uashingtoni ndau rreth 70 miliardë dollarë. Kjo është e barabartë me 1% të buxhetit të përgjithshëm federal për ndihma humanitare, zhvillim ekonomik si dhe paqen dhe sigurinë dhe sektorë të tjerë, jashtë vendit.
Nuk është e qartë se cila do të jetë qasja e Presidentit të zgjedhur Donald Trump ndaj këtyre ndihmave kur ai të fillojë mandatin e dytë, në janar.
Gjatë mandatit të parë, zoti Trump i bëri të njohura pikëpamjet e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2018.
“Ne do të shqyrtojmë se çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe nëse vendet që marrin ndihmat tona dhe ne iu ofrojmë mbrojtje, kanë qëllime të mira ndaj nesh. Më tutje, ne do të japim ndihma vetëm për ata që na respektojnë dhe sinqerisht janë miqtë tanë”, tha Presidenti Trump më 25 shtator 2018.
Si president, zoti Trump shkurtoi disa prej ndihmave. Por, Kongresi shpesh i refuzoi sugjerimet e tij për ta bërë këtë.
“Ai bëri shkurtime të mëdha në të gjitha llojet e fondeve që janë ndarë më parë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ai bëri disa ndryshime të tjera, si në ndihmat për palestinezët, por shumë nga politikat rreth ndihmave të Shteteve të Bashkuara vazhduan relativisht të pandryshuara”, thotë Jeremy Mayer nga Universiteti ‘George Mason’.
