Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Vlorës u ndërpre pasi nuk u siguruan votat e nevojshme për miratimin e rendit të ditës.
Sipas raportimeve nga salla, rendi i ditës përmbante 21 pika për diskutim, çka solli debate mes këshilltarëve lidhur me numrin e lartë të çështjeve të planifikuara. Pas diskutimeve, kryetarja e Këshillit, Elpiniqi Merkuri, e hodhi rendin e ditës në votim.
Nga procesi i votimit rezultuan 25 vota pro, ndërkohë që për miratim kërkohen të paktën 26 vota (50%+1 e anëtarëve). Për pasojë, rendi i ditës nuk u miratua dhe mbledhja u anulua.
Pas votimit, këshilltarët e opozitës u larguan nga salla. Është vendosur që Këshilli Bashkiak të mblidhet sërish nesër në orën 09:00 për të votuar çështjen e ndihmës ekonomike, ndërsa data e mbledhjes së radhës do të përcaktohet në vijim.
