Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni. Lajmi u konfirmua nga Corriere della Sera, sipas të cilit, artistja ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Milano, ku ishte e sëmurë prej disa kohësh.
Vdekja e saj shënon fundin e një epoke për muzikën dhe kulturën italiane, të cilat Vanoni i ka shoqëruar për më shumë se shtatë dekada me zërin e saj të pangatërrueshëm dhe stilin e saj të lirë e të rafinuar.
Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, shprehu ngushëllimet duke deklaruar se Italia humbi një artiste të pakrahasueshme, një figurë që me zërin dhe interpretimin e saj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këngës, teatrit dhe argëtimit.
Mesazhe të forta emocionale kanë ardhur edhe nga bota e televizionit dhe artit. Fabio Fazio u shpreh i tronditur, duke thënë se është pa fjalë dhe i papërgatitur për humbjen.
Simona Ventura e përshkroi Vanonin si “më të madhen”, duke theksuar se muzika e saj do të mbetet përgjithmonë në zemrat e publikut.
Regjisorja Emma Dante tregoi se e kishte pritur të shihte Vanonin në shfaqjen e saj të re në Milano, por lajmi i vdekjes e gjeti të tronditur. Ajo shkroi se me ikjen e Ornellës largohet edhe një pjesë e jetës sonë, së bashku me zërin, zgjuarsinë, kuriozitetin, paturpësinë dhe stilin e saj të papërsëritshëm në interpretimin e këngëve të dashurisë.
