Për ditën e sotme, e shtunë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të mëngjesit, fillimisht me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare. Pas mesditës, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të dobët, ndërsa në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim priten shtrëngata afatshkurtra me intensitet deri mesatar.
Në zonat malore të Alpeve dhe në verilindje-lindje, në lartësitë mbi 800–900 metra, reshjet do të jenë në formë bore, me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 16 m/s. Deti do të jetë i trazuar, me valëzim të forcës 4 deri në 5 ballë.
