Momente prekëse pranë QSUT, qindra qytetarë në lot ndërsa digjet pallati 12-katësh, banorët evakuohen mes panikut

Data

Pamje dramatike dhe prekëse janë regjistruar mbrëmjen e sotme pranë QSUT në Tiranë, ku një pallat 12-katësh u përfshi nga flakët, duke shkaktuar panik dhe tronditje te qindra qytetarë.

Banorë dhe kalimtarë të shumtë u mblodhën në rrugën kryesore, duke ndjekur me ankth zhvillimin e zjarrit që përfshiu me shpejtësi fasadën e godinës. Disa prej tyre u panë të përlotur dhe të shokuar, ndërsa policia vendosi menjëherë perimetër sigurie për të shmangur rrezikun.

Operacioni për shuarjen e flakëve zgjati më shumë se tre orë, me angazhimin e rreth 100 zjarrfikësve, të mbështetur edhe nga dy helikopterë tip “Cougar”. Pavarësisht përmasave të zjarrit, ndërhyrja bëri të mundur evakuimin në kohë të banorëve, duke shmangur pasoja më të rënda.

Megjithatë, disa persona pësuan asfiksi nga tymi, ndërsa mes të lënduarve u raportuan edhe 6 zjarrfikës dhe një efektiv policie, të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore në QSUT. Një grua ka pësuar gjithashtu lëndime të lehta.

Situata u komplikua nga mungesa e shkallëve emergjente në pallat, çka detyroi përdorimin e autoshkallave të zjarrfikësve për nxjerrjen e banorëve, përfshirë edhe të moshuarit që mbetën të bllokuar në apartamente.

Në vendngjarje ishte edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili bëri të ditur se forcat RENEA u angazhuan për hapjen e dyerve të bllokuara dhe për të ndihmuar në evakuim.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në katet e para të godinës dhe u përhap me shpejtësi deri në katin e fundit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes, ndërsa rezulton se i njëjti kompleks ishte përfshirë nga flakët edhe në vitin 2021, kur ishte ende në ndërtim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related