Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e vlerësoi dje Reformën në Drejtësi, si një moment kthese që po prodhon rezultate, duke i dhënë fund në mënyrë graduale pandëshkueshmërisë. Manja, i pranishëm në punimet e konferencës ndërkombëtare “Forcimi i Llogaridhënies: Fuqizimi i përpjekjeve kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, të zhvilluar këtë fillim-javë në Tiranë, tha se sot sfida është vazhdueshmëria e punës së sistemit të drejtësisë pas përfundimit të Vetting-ut. Sipas tij, zbatimi i standardeve të shëndosha të llogaridhënies, janë me rëndësi primare. “Kjo reformë shenjoi një moment kthese epokale për vendin tonë. Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që po prodhon rezultate duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë”, deklaroi Manja. Sipas tij, vetting-u ishte instrumenti anti-korrupsion më i guximshëm, i thellë dhe kapilar i pastrimit të drejtësisë zbatuar ndonjëherë, jo vetëm në rajon, por e më gjerë. Ky instrument, tha Manja, rezultoi i domosdoshëm dhe tejet i dobishëm, pasi numri i gjyqtarëve të larguar nga sistemi, është provë e gjallë e një drejtësie që nuk mund të bënte drejtësi, pasi ishte e kapur nga korrupsioni.
“Sot pas më se 6 vitesh nga fillimi i këtij procesi, sfida nuk është më pak e vogël për sistemin e drejtësisë në tërësi. Sot mbetet thelbësore që ky sistem të maturohet, e të tregojnë aftësi për t’u vetë-përmirësuar në vijim. Ndaj, zbatimi i standardeve të shëndosha të llogaridhënies, me rëndësi primare. Me përfundimin e procesit të rivlerësimit, institucionet e qeverisjes duket të garantojnë në vijimësi llogaridhënie të shtuar brenda vetë sistemit”, u shpreh Manja. Sipas tij, vendi është krenar që në Shqipëri po formësohet një reputacion i ri i institucioneve të sistemit të drejtësisë në sytë e publikut shqiptar. “Rritja e konsiderueshme e track- record në luftën kundër korrupsionit nga organet e posaçme të sistemit të drejtësisë është tregues se frytet e reformës janë të shëndetshme. Por natyrisht, pavarësisht se pritshmëria është e lartë për produkte të shpejta, si Ministër Drejtësie dhe si ish-prokuror, dëshiroj të theksoj se mbetet esenciale që institucionet e reja të specializuara në fushën e korrupsionit e krimit të organizuar të ushtrojnë funksionet e tyre larg çdo forme presioni ose ndikimi.
Cilësia duhet të mbizotërojë ndaj sasisë dhe ajo çfarë duhet të mbizotërojë mbi çdo gjë tjetër, janë standardet e një gjykimi të drejtë”, theksoi Manja. Ministri i Drejtësisë në fund tha se përtej rezultateve të arritura, ka ende shumë punë përpara. “Pavarësisht se jemi në mënyrë modeste krenarë për çfarë kemi arritur, nuk kemi as naivitetin për të thënë që luftën me korrupsionin e kemi fituar, ose po e fitojmë tashmë. Kemi ende mjaftueshëm punë përpara. Askush, përfshirë edhe shtetet me kulturë demokratike e shtet-formimi më të avancuar se e jona, nuk e ka luksin ta quajë kryer apo të finalizuar. Pavarësisht se nga lente të ndryshme, qëllimi ynë mbetet dhe do të mbetet i përbashkët, punojmë të gjithë për prosperitetin e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë”, përfundoi Manja.
