Pas rreth tre orësh tubim para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar protestën e 15-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë, tupanë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit kanë përshkuar disa segmente të kryeqytetit duke përsëritur thirrje si:
- “Rama jep dorëheqjen”
- “Revolucion”
- “Rama në burg, Berisha në burg”
- “Ju erdhi fundi”
- “Shqipëria nuk shitet”
Pamjet nga marshimi tregojnë një prani të konsiderueshme protestuesish, ndërsa ngjyrat kuqezi kanë dominuar përgjatë itinerarit të protestës.
Sipas organizatorëve, qëllimi i tubimeve mbetet kërkesa për largimin e qeverisë dhe zhvillimin e reformave politike e institucionale. Protestat kanë vijuar për 15 ditë radhazi dhe janë shoqëruar edhe me mobilizime të diasporës shqiptare në qytete të ndryshme të Europës dhe Amerikës së Veriut.
Deri në momentin e raportimit, marshimi po zhvillohej pa incidente të raportuara, ndërsa forcat e rendit vijonin monitorimin e situatës dhe menaxhimin e qarkullimit në zonat e prekura nga protesta.
