Mijëra njerëz protestuan sot në Plaza de Castilla të Madridit kundër kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme.
Tubimi, i cili u mbështet nga Partia Popullore (PP) dhe partia Vox, u mbajt nën moton “Për unitet, dinjitet, ligj dhe liri.
Organizatori i protestës, Platforma për Spanjën Kushtetuese, deklaroi se takimi ishte organizuar për të dënuar “përkeqësimin e gjendjes së demokracisë” dhe “korrupsionin” në mjedisin e kryeministrit, njoftoi televizioni spanjoll RTVE.
Në demonstratën, ku sipas të dhënave qeveritare morën pjesë 25 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë se ishin 400 mijë, u shfaq një flamur i madh spanjoll, së bashku me flamujt e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe kryqin Burgundian.
Pjesëmarrësit e protestës thërrisnin “Pedro Sánchez, dorëhiqe” dhe mbanin pankarta me sloganet “Fajtor” dhe “Nuk është parti, është mafia”, si dhe foto të kryeministrit dhe ministrave të tij pas hekurave.
Zëvendëssekretarja organizative e PP-së, Carmen Funez, e cila mori pjesë në protestë, i cilësoi qeveritarët si “katastrofikë”, duke thënë se “është koha për t’i dhënë zë demokracisë dhe popullit spanjoll”.
