Meta thyen heshtjen: “Më shëtitën me pranga për dy orë në Tiranë, arrestim mafioz i orkestruar”

Data

Ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë publike versionin e tij për arrestimin e 21 tetorit 2024, duke e cilësuar ndalimin si një “rrëmbim mafioz” të organizuar jashtë çdo procedure ligjore.

Në një deklaratë të gjatë, Meta pretendon se u ndalua nga persona të maskuar dhe të armatosur, pa identitet dhe pa mandat arresti, të cilët e mbajtën për rreth dy orë me pranga në duar duke e shëtitur nëpër Tiranë, përpara se t’ia dorëzonin Policisë Gjyqësore. Sipas tij, kjo bie ndesh me faktin që, zyrtarisht, akuza i është komunikuar vetëm në orën 14:16, ndërkohë që videot e arrestimit janë regjistruar në orën 12:18.

Meta akuzon drejtpërdrejt atë që e quan “mafia e AKSHI-t” dhe biznesmenin Ergys Agasi si koordinatorë të operacionit, duke pretenduar se arrestimi i tij është kryer nga grupe kriminale dhe jo nga strukturat ligjore të përcaktuara nga gjykata. Ai thekson se në momentin e ndalimit ishte ende nën mbrojtjen e Gardës së Republikës.

Në deklaratën e tij, Meta përdor një analogji të fortë, duke thënë se në Shqipëri hierarkia e shtetit të së drejtës është përmbysur: bandat kriminale, sipas tij, janë mbi policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Ai akuzon SPAK-un dhe gjykatën se kanë legjitimuar një arrestim të paligjshëm, duke mbyllur sytë për shkeljet procedurale.

Meta përshkruan edhe momentet në sallën e gjyqit, ku pretendon se kundërshtimet e tij mbi mënyrën e arrestimit janë injoruar dhe se masa e sigurisë është dhënë “mekanikisht”, pavarësisht fakteve të paraqitura. Sipas tij, vendimi u bazua në qëndrimin e prokurorëve dhe jo në ligj.

Në fund, ish-Presidenti e cilëson arrestimin e tij si një akt politik, të koordinuar mes grupeve kriminale, segmenteve të policisë, SPAK-ut dhe gjyqësorit, duke paralajmëruar se do të vazhdojë betejën për të nxjerrë në dritë atë që e quan “një nga skandalet më të rënda të shtetit shqiptar”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related