Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka vijuar me mesazhe mbështetëse nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa drejtori i Fondacioni Konrad Adenauer, Thomas Kunze, vlerësoi rolin historik të Partisë Demokratike në zhvillimet demokratike dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kunze theksoi se PD zë një vend të rëndësishëm në historinë moderne të vendit, duke kujtuar origjinën e saj në lëvizjen antikomuniste dhe kontributin në ndërtimin e institucioneve demokratike pas rënies së regjimit komunist.
Ai kujtoi periudhën e izolimit të Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste, duke nënvizuar vuajtjet e mijëra të burgosurve politikë dhe të përndjekurve, ndërsa vlerësoi mbështetjen që Partia Demokratike u ka dhënë këtyre shtresave që nga themelimi i saj.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit iu kushtua rrugës europiane të Shqipërisë. Sipas Kunze, një nga momentet historike të vendit ishte aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2009, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin europian të Shqipërisë”, deklaroi ai, duke e cilësuar këtë hap si një gur themeli në rrugën e vendit drejt Europës.
Drejtori i fondacionit gjerman theksoi se partneriteti me PD-në ka qenë i vazhdueshëm ndër vite dhe se Fondacioni Konrad Adenauer do të vijojë të mbështesë vlerat e demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë politike dhe integrimit europian.
Në përfundim, Kunze nënvizoi se çdo demokraci ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të përgjegjshme, e cila jo vetëm të kritikojë, por edhe të ofrojë alternativa dhe zgjidhje për qytetarët, duke uruar sukses për punimet e Kuvendit Kombëtar dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
