Kontabilistja Meri Lika ka ngritur alarmin për dëmet ekonomike që, sipas saj, shkaktohen nga mungesa e konkurrencës në tenderët publikë në Shqipëri.
E ftuar në një intervistë televizive, Lika iu referua të dhënave të Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke deklaruar se vetëm nga tenderët ku merr pjesë një operator i vetëm ekonomik, humbja për buxhetin e shtetit arrin nga 100 deri në 150 milionë euro në vit.
Sipas saj, kur kësaj i shtohet edhe keqmenaxhimi i kontratave publike, dëmi ekonomik rritet ndjeshëm.
“Vetëm nga menaxhimi i keq i këtyre tenderëve, humbja shkon deri në miliarda euro në vit”, u shpreh ajo.
Lika e krahasoi procesin e prokurimeve publike me zgjedhjen e një produkti në treg, duke theksuar se mungesa e garës sjell çmime më të larta dhe cilësi më të ulët.
“Nëse shkon vetëm në një dyqan për të blerë një televizor, nuk do të thotë që ke bërë zgjedhjen më të mirë. E njëjta logjikë vlen edhe për tenderët publikë”, tha ajo.
Kontabilistja theksoi se në shumë raste ofertat fituese arrijnë deri në 99% të fondit limit, çka sipas saj tregon mungesë reale konkurrence.
Ajo solli si shembull edhe projektet infrastrukturore, duke krahasuar segmentet rrugore Thumanë–Kashar dhe Autostrada Tiranë–Elbasan, për të argumentuar se cilësia e investimeve publike mbetet problematike.
Në fund, Lika tha se numri i tenderëve është rritur ndjeshëm ndër vite, duke përmendur se në vitin 2014 janë realizuar mbi 51 mijë procedura prokurimi, krahasuar me rreth 8 mijë në vitin 2012.
