Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me axhendën e tij në Izrael, duke e cilësuar atë si “mercenar të gjithë mafies ndërkombëtare” dhe duke e akuzuar se po shfrytëzon sigurinë kombëtare për interesa personale dhe politike.
Sipas Blushit, nën pretekstin e “rilindjes së ushtrisë”, qeveria po zbaton një skemë korruptive që përfshin faljen e pronave dhe buxhetit të Forcave të Armatosura, si dhe tendera sekretë për armatime të dështuara. Ai pretendon se pas kësaj skeme qëndron një biznesmen izraelit, të cilin e përshkruan si “krahun e armatosur” të kryeministrit.
Blushi theksoi se kjo, sipas tij, nuk është një aferë e izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të shitur interesat kombëtare, duke përmendur edhe çështje të ndjeshme si siguria, pronat shtetërore dhe institucionet kyçe.
“Nuk po shet vetëm ushtrinë, por po shet shtetin për të mbajtur pushtetin”, u shpreh Blushi, duke shtuar se Shqipëria po trajtohet si plaçkë nga interesa të errëta ndërkombëtare.
