Dosja e AKSHI-t/ Zbardhen përgjimet mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit: “Punët i rregulloj unë”, biseda për tendera, drogë dhe presione

Data

Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fokus të hetimeve janë edhe biseda të regjistruara fshehurazi në ambientet e zyrës së biznesmenit Ergys Agasi, ku ky i fundit shfaqet duke diskutuar me ortakun e tij, Ermal Beqiri, për ndërhyrje në tendera, ndikim institucional dhe aktivitete të paligjshme.

Sipas materialeve hetimore, në një bisedë të datës 25 gusht 2023, Agasi flet për kontroll dhe ndikim absolut në vendimmarrje, duke pretenduar se është “forca e vetme” që rregullon punët. Në dialog përmenden edhe çështje të rënda kriminale, përfshirë trafikun e lëndëve narkotike, konkretisht kokainë.

Nga përgjimet rezulton se Agasi flet hapur për mënyrën se si, sipas tij, mund të bllokojë ose zhbllokojë procese, të imponojë firmosje dokumentesh dhe të orientojë vendime në favor të interesave të tij.

Në një tjetër bisedë të regjistruar më 26 janar 2024, Agasi përmend edhe ish-ministrin Ilir Beqaj, duke u shprehur se mund të “rregullojë çështje” dhe duke lënë të kuptohet për tentativa presioni apo manipulimi, madje duke përmendur edhe SPAK-un në kontekstin e këtyre veprimeve.

Hetimet tregojnë gjithashtu se Agasi pretendon se ka ndërhyrë më parë për të “mbuluar” çështje të ndryshme, por pranon se në disa raste ka pasur përgjime nga autoritetet.

Për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, por këto masa nuk janë ekzekutuar ende, pasi të dy nuk ndodhen aktualisht në territorin e Shqipërisë. Autoritetet vijojnë procedurat për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Dosja e AKSHI-t konsiderohet një nga më të rëndësishmet përsa i përket dyshimeve për korrupsion, kapje të institucioneve dhe lidhje me veprimtari kriminale, ndërsa priten zhvillime të tjera nga hetimet e SPAK.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related