Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Data

Pas disa orësh tubimi përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë përmbyllur fjalimet dhe dëshmitë e qytetarëve, duke nisur më pas marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Nën thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Nesër më shumë”, pjesëmarrësit u larguan nga zona para Kryeministrisë duke vijuar protestën në formën e një marshimi qytetar.

Gjatë mbrëmjes, në podiumin e ngritur përpara institucionit folën dhjetëra qytetarë, aktivistë, familjarë të viktimave të ngjarjeve të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për çështje që lidhen me drejtësinë, korrupsionin, emigracionin, arsimin dhe qeverisjen e vendit.

Organizatorët deklaruan se protesta e 14-të radhazi ka shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes që nga nisja e kësaj lëvizjeje qytetare. Sipas tyre, pranisë së qytetarëve nga Tirana dhe rrethet iu bashkuan edhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme europiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Përgjatë gjithë tubimit u mbajtën pankarta dhe mesazhe që kërkonin ndryshim politik, dorëheqjen e qeverisë dhe reforma institucionale, ndërsa në përfundim të aktivitetit protestuesit përsëritën thirrjen për vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vazhdim.

Marshimi në rrugët e Tiranës shënoi mbylljen e ditës së 14-të të protestës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksionet qytetare do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related