Mbrojtja e Thaçit në Hagë: Dëshmitarët e bënë vetë publike ftesën për dëshmi

Data

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarit të parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në procesin për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, u përqendrua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në çështjen tjetër ndaj ish-presidentit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ajo argumentoi se disa prej dëshmitarëve e kanë bërë vetë publike faktin që janë ftuar për të dëshmuar në Hagë.

Si shembuj u përmendën Rrustem Mustafa (Remi), Bislim Zyrapi, Sylejman Selimi dhe Shukri Buja, të cilët, sipas mbrojtjes, kanë deklaruar në media se janë ftuar për dëshmi. Dëshmitari i Prokurorisë konfirmoi se ata nuk janë vendosur nën masa mbrojtëse, për shkak të statusit të tyre publik.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, të pandehurit dyshohet se kanë ndërhyrë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se disponon prova, përfshirë incizime audio nga qendra e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi ka dhënë udhëzime për të ndikuar dëshmitarë.

Thaçi dhe të bashkëakuzuarit i kanë mohuar akuzat. Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do të kalojë në vendimmarrje nga trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar zgjatje të afatit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related