“Mbeta pa gjysmën time” — Sheila Haxhiraj rrëfen momentin tragjik kur humbi vëllain dhe dhimbjen që e shoqëron ende

Data

Artistja Sheila Haxhiraj ka ndarë një prej dëshmive më të dhimbshme të jetës së saj, duke folur hapur për humbjen tragjike të vëllait, Henri Haxhiraj, ish-punonjës i Gardës së Republikës, i cili u vetëvra me armën e shërbimit. Në një rrëfim të mbushur me emocione, ajo tregoi se si kjo ngjarje i ndryshoi përgjithmonë jetën dhe se si ende përballet me pishmanet që la pas tragjedia.

Sheila e përshkroi vëllain si njeriun më të afërt, “krahun e djathtë”, me të cilin ndante një lidhje të veçantë, pavarësisht se kishin natyra të ndryshme. Ajo vetë ishte më ekspresive, ndërsa Henri më i qetë dhe shumë i organizuar.

“Mbeta pa gjysmën time fizikisht, por ai është bekimi dhe drita ime. Ai më jep forcën që të jem kjo Shejl që jam sot,” u shpreh ajo, mes lotësh.

Artistja tregoi se në muajt para ngjarjes, familja po kalonte një periudhë shumë të vështirë për shkak të problemeve të rënda shëndetësore të gjyshes, çka i kishte angazhuar të gjithë emocionalisht dhe fizikisht. Mes kësaj situate, ajo thotë se nuk vuri re asnjë shenjë shqetësimi te vëllai.

“Nuk ka dhënë asnjëherë shenja që tregonte se kishte brenga. Nuk ka dashur të na shqetësojë. Mua më ka mbetur pishman që nuk kam kuptuar, që nuk kam qenë më pranë,” tha ajo.

Momenti më dramatik i rrëfimit ishte ai kur Sheila pranoi se ndodhej në shtëpi në çastin kur ndodhi ngjarja, por nuk arriti dot ta shpëtonte të vëllain.

“Unë kam qenë në shtëpi… e pashë tim vëlla në atë gjendje dhe nuk arrita dot ta shpëtoj. Kjo është brenga ime më e madhe. Si nuk i dhashë më shumë vëmendje? Pse nuk e shpëtova?” — rrëfeu ajo me zërin që i dridhej.

Sheila mohoi kategorikisht zërat që Henri vuante nga depresioni, duke e konsideruar aktin e tij si një moment të çastit, një shpërthim i papritur emocional i lidhur me presionet e kohëve të fundit.

“Henri nuk ka vuajtur asnjëherë nga depresioni. Ai e bëri atë gjë në një moment axhitimi. Të gjitha ato që janë thënë më pas, kanë qenë abuzime,” shtoi ajo.

Ngjarja tragjike ndodhi më 15 tetor të vitit të kaluar në banesën e familjes Haxhiraj, në zonën e Qytetit Studenti. Henri Haxhiraj, 36 vjeç, qëlloi veten me armën e shërbimit dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku humbi jetën pak orë më vonë.

Sheila e mbylli rrëfimin me një mesazh prekës:

“Ai është engjëlli im. Pa forcën që më jep ai, nuk do të isha këtu sot.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related