Pronat e shqiptarëve po gllabërohen nga shoqëritë mikrofinanciare. Fenomeni i rëndë është denoncuar nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, e cila ka vënë në dispozicion të SPAK-ut mbi 15 000 dokumente dhe akte, ku tregohen me detaje ankandet fiktive të zhvilluara me pronat e shqiptarëve.
Nga institucioni që drejtohet nga Tedi Malaveci, sqarohet se në SPAK do të depozitohen edhe dokumente të tjera për këtë veprimtari kriminale.
“Materiali kallëzues drejtuar SPAK-ut shoqërohet me një dokumentacion provues me rreth 15 000 dokumente dhe akte që po vijon të plotësohet me akte të tjera për organin e akuzës speciale, për çdo ditë, që pranë Dhomës, adresohen dhe administrohen prova dhe fakte të reja, referuar një prej veprimtarive kriminale më të rënda të ndodhura vitet e fundit, filluar në vitin 2016, që nëse nuk ndalet Sot, do të përhapet me shpejtësi gangrenizimi të pashërueshme në gjithë shoqërinë shqiptare. Pasojat e kësaj veprimtarie kriminale llogariten paraprakisht se kanë arritur të afektojnë një pjesë të mirë të popullatës në të gjithë vendin”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.
Sipas Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, në qindra denoncime të adresuara pranë këtij institucioni flasin qartë për zhvillimin e një veprimtarie të mirëfilltë dhe të mirorganizuar kriminale, në përfitim të disa institucioneve financiare jo banka, “Micro Credit Albania” dhe “Final”.
Ky institucion denoncon se në 31 bashki të vendit, janë zhvilluar mbi një mijë ankande fiktive ku qytetarët nuk e dinë ende nëse u janë marrë apo grabitur pronat nga “Micro Credit Albania” ose “Final”, me metodën “online” pranë drejtorive vendore të Kadastrës.
