Provimi do të zhvillohet në ambientet e shkollave të mesme që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore. Nxënësit duhet të paraqiten në orën 08:30, ndërsa provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.
Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi speciale.
Ministria e Arsimit ka përcaktuar një sërë rregullash për zhvillimin e provimit. Të gjithë maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë) dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformën e shkollës.
Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente (smart) dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike. Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit. Maturantët nuk lejohen që të largohen nga sallat e provimit para orës 12:30.
