Sa më shumë bërtet Sali Berisha për revolucion e protesta nga izolimi në banesën e tij, aq më shumë kuptohet se gjithë këto kohë ka kërkuar një pazar me kryeministrin Edi Rama. Mes tyre trajtohet dhe po reklamohet në media si dialog institucionesh apo tryezë reformash, në të vërtet është pazar mes dy njerëzve të cilët nga 2008 vazhdojnë paktin politik mes tyre. Qëllimi i tyre dhe marrëveshja e fshehtë që është bërë “bodrumeve” është shkatërrimi i Reformës në Drejtësi. Pavarësisht se bëjnë sikur zihen dhe janë armiq të përbetuar, Rama është njeriu më i interesuar në planet që Berisha i izoluar nga SPAK dhe i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani e Madhe mos dalë në pension, por të vazhdojë sa të ketë frymë në politikë. Por gjithashtu kreu i qeverisë është më i interesuari që të kapet SPAK, pasi ai mund të ketë fatin e njëjtë si të Berishës. Të dy përfitojnë. Berisha del nga izolimi, ndërsa Rama shpëton nga prangat. Ishte analisti Arjan Curri, i cili tha se ka pasur një takim mes tyre dhe në lojë është vula e PD. “Çelësin e dha Balla kur tha shijoje postin i tha Gazit se është me përgjegjësi. Në hyrje të parlamentit ishte një ish kafe në bodrum tani para dy ditësh janë takuar dy eksponentët e rëndësishëm PS PD dhe përmes emisarëve të tyre. Rama dhe Berisha janë takuar përmes emisarëve. Është bërë marrëveshje kjo amnisti të kalojë në skuta, prandaj amendamentet e Salianjit, është shkelur çdo rregull. Nuk është sekret se ka kanale të nëndheshme. Fitojnë disa njerëz konkret të të dyja krahëve që janë burgosur dhe duhen falur. Përfiton Gaz Bardhi dhe gjithë Foltorja dhe së treti është shkelur syri që përmes marrëveshje mund tu jepet edhe vula. Nuk e di nëse pikën e tretë do e realizojë Rama”, tha Curri më një intervistë televizive.
Bashkëpunimi mes tyre
Kjo dyshe e ka nisur këtë bashkëpunim shumë vite më parë, si një shkuesi interesash që kishin qëllim groposjen e pluralizmit dhe instalimin e një sekti, të cilët do ndanin pasurinë kombëtare në llokma për orekset e tyre, të hedhura dorë më dorë në një grup biznesmenësh. Shumëkush e kujton 15 marsin e viti 2008, ditën e tmerrshme të tragjedisë të Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 banorë të kësaj zone. Ishte ajo ditë ku Rama i rrahu shpatullat Sali Berishës, autorit dhe ekzekutorit të atyre që punonin për kafshatën e gojës. Ky moment kulminant shënoi nisjen e ndryshimit të një epoke të re në politikën shqiptare. Kjo tragjedi konfirmoi një aleancë të re midis Berishës dhe Ramës, që vendosën të ndryshonin kushtetutën në 21 prill të vitit 2008. Nga ky moment, nisi shkatërrimi i vlerave të një shoqërie demokratike duke u shndërruar në një klikë oligarkie të mbështetur në një tufë biznesmenësh që pastrojnë paratë e dyshes Berisha-Rama. Nga ajo periudhë deri më sot kjo dyshe ka prodhuar vetëm koncensione, abuzime, ligje antikombëtare dhe qeverisje antidemokratike.
Dosja e zezë e Berishës
Si mund të diskutohet ende në politikë emri i Sali Berishës. Shqiptarët kanë më shumë se 30 vjet, që po përjetojnë bëmat dhe gjëmat e këtij individi me detyrë aktuale kreu i fraksionit anti-amerikan “Foltore”. Nuk mund të mohohet fakti, që veprimtaria e Sali Berishës është një “dosje e zezë” voluminoze, mbushur me fakte prapaskenash, konfliktesh, përçarjesh të shqiptarëve që nga Vermoshi në Konispol, mashtrimesh, vrasje, rrëmbime, torturime, korrupsion dhe minim të demokracisë, të cilat e kanë sjell dhe e kanë mbajtur në pushtet, në opozitë dhe në politikë këtë “specie në zhdukje”. Edhe pse ka bërë gjithçka që e etiketon si “vrasës të shqiptarëve”, si “krye-hajdut të pasurive kombëtare” dhe “anti-shqiptar”, Sali Berishës nuk i bëjnë aspak përshtypje këto zullume që ka bërë në 30 vitet e tij, si “desant” i ish-Sigurimit të Shtetit dhe i byrosë politike të PPSH, me mision brenda lëvizjes demokratike në Dhjetor 1990 e deri sot kur po e mbyll karrierën e tij të neveritshme. Përkundrazi, ai po vazhdon të shtojë krimet dhe mashtrimet ndaj këtij populli e këtij vendi, tashmë duke përdorur bandën që ka instaluar brenda “Rithemelimit”. Janë shumë episode të hidhura, prej të cilave Sali Berisha bëhet me “hije” kur ia kujtojnë. Nuk numërohen bëmat e tij, nga qasja e tij në Partinë e Punës së Shqipërisë, deri tek aferat kriminale dhe korruptive që mbajnë vulën e tij, sikundër janë masakra e 2 prill 1991 në Shkodër; rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha u rrëmbye më 21 Tetor të vitit 1995; dhunimi i opozitës dhe vjedhja e zgjedhjeve në 1996; firmat piramidale në ’97; grushti i shtetit në 1998; tragjedia e “Gërdecit”, grabitja e disa pronave publike si ish-kompleksi “Partizani”; vrasjet e 21 janarit të vitit 2011, marrja me dhunë e selisë së Partisë Demokratike më 8 janar 2022, etj.
