Gazetari Lavdrim Lita, ishte këtë të hënë i ftuar në një emision televiziv ku ka folur për zhvillimet e fundit në politikën në vend. Ndër të tjerat ai ka folur edhe për mandatin e Olta Xhaçës, për të cilin socialistët kanë kërkuar konsultim nga Komisioni i Venecias.
Lita tha se nuk është e nevojshme dërgimi i çështjes në Komisionin e Venecias, por sipas tij kjo çështje po tentohet të shtyhet në kohë deri sa të harrohet. Ai tha se socialistët po tentojnë të shmangin “këtë derë” pasi sipas tij ka edhe deputetë të tjerë të cilët ushtrojnë biznesin e tyre ndonëse ligji nuk i lejon, e ata sipas gazetarit tashmë kanë filluar të kërcënojnë njëri-tjetrin me dërgim në Gjykatën Kushtetuese.
“Olta Xhaçka është maja e ajsbergut të deputetëve të kuvendit të Shqipërisë në konflikt interesi. Ka dhjetëra deputet të PS dhe të PD-së që zhvillojnë aktivitetin e tyre të biznesit, pavarësisht se ligji nuk e lejon. Unë kam verifikuar dhjetëra prej tyre.
Peleshi dhe të tjerë po mundohen me artifica për të mos e hapur atë derë sepse kjo do të bënte një luftë civile brenda kuvendit, ku deputetët çojnë në Gjykatë Kushtetuese çdo deputet që ata kanë informacione se po kryejnë aktivitete biznesi. Janë disa deputetë që shantazhojnë njëri-tjetrin se do i çojnë në Kushtetuese. PS, po tenton ta vështirësojë këtë rrugë, deri sa të shkohet në fushatë zgjedhore e kjo gjë të harrohet”,-tha Lita.
