“Mandatet e krimit po mbrojnë qeverinë”, Berisha akuzon: Socialistët po bëhen mburojë e Ballukut për të shpëtuar Ramën

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte mbrëmjen e sotme në një takim me demokratët e degës nr. 7 në Tiranë, ku mbajti fjalën e radhës politike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi mazhorancën se po përdor mandatet parlamentare si mburojë për të penguar drejtësinë, duke mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe, sipas tij, vetë kryeministrin Edi Rama.

Berisha tha se mandatet e Partisë Socialiste janë fituar me ndihmën e krimit të organizuar dhe sot po shërbejnë për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të.

“Ai nuk duhet të qëndrojë më në pushtet. Ne kemi kaluar beteja si asnjë forcë politike në Europë. Sot jemi në shesh dhe kemi përballë një pushtet që nuk lejon zgjedhje të lira,” u shpreh Berisha.

Ai kërkoi krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, duke theksuar se një pushtet që vjedh votën humbet legjitimitetin.

“Mandatet e marra me krim janë kthyer në parzmore. Ato sot mbrojnë Ballukun, por në thelb mbrojnë Ramën. Për herë të parë thonë se nuk do t’ia heqin imunitetin,” deklaroi ai.

Berisha theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga beteja politike dhe se ajo që po ndodh është një farsë elektorale e shndërruar në instrument për mbrojtjen e pushtetit dhe vazhdimin e plaçkitjes.

“Kemi një mision historik, ndoshta më të vështirin, por jemi të bindur se do të fitojmë,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related