Më 17 shtator 2018, një ndalesë e pazakontë e avionit presidencial venezuelian në Stamboll do të shndërrohej në simbol të kontrastit ekstrem mes luksit personal dhe mjerimit kombëtar. Nicolás Maduro, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Cilia Flores, ndaloi për disa orë në metropolin turk vetëm për të shijuar një darkë luksoze në restorantin e famshëm të Nusret Gökçe, i njohur botërisht si “Salt Bae”.
Në një kohë kur në Venezuelë mishi i kuq ishte kthyer në mall luksi dhe fëmijët kërkonin ushqim në kazanët e plehrave, Maduro shijonte një biftek të veshur me ar, me një çmim që shkonte deri në 1 mijë euro. Darka u shoqërua me një verë të rrallë franceze, Château Angélus 1998, me vlerë rreth 2 mijë euro, për t’u mbyllur me një puro luksoze nga një kuti e personalizuar me emrin e tij.
Me buzëqeshje para kamerave, Maduro e quajti darkën një “përvojë jetësore”, duke mishëruar arrogancën dhe shkëputjen totale nga realiteti i një populli të zhytur në uri dhe varfëri. Në atë moment, ai dukej i bindur se pushteti i tij ishte i paprekshëm dhe i përjetshëm.
Nga lagjet e varfra te pushteti absolut
Nicolás Maduro García lindi më 23 nëntor 1962 në Karakas, në një familje të klasës punëtore. U rrit në lagjen El Valle, në periferi të kryeqytetit, si fëmija i dytë në një familje me katër fëmijë. Arsimi nuk ishte kurrë pika e tij e fortë dhe, sipas të dhënave, ai nuk arriti të përfundonte shkollën e mesme.
Në vend të librave, Maduro u formua në botën e sindikalizmit dhe lëvizjeve të majta radikale. Ai u përfshi herët në rrethe militante dhe, sipas burimeve të ndryshme, krijoi lidhje me struktura që vepronin në kufijtë e ligjit. Një qëndrim njëvjeçar në Kubën e Fidel Castros rezultoi vendimtar për rrugëtimin e tij politik, ku u afrua me ideologjinë dhe rrjetet që më vonë do ta çonin drejt Hugo Chávez.
Trashëgimtari i Çavizmit
Në vitet ’90, Maduro u shndërrua në një nga mbështetësit më të zëshëm të Hugo Chávez, duke luajtur rol aktiv në lëvizjen që e solli këtë të fundit në pushtet. Karriera e tij politike u ndërtua hap pas hapi: deputet, kryetar i Asamblesë Kombëtare, ministër i Jashtëm për gjashtë vite dhe më pas nënkryetar.
Pas vdekjes së Chávez në vitin 2013, Maduro u shpall pasardhësi politik dhe fitoi zgjedhjet presidenciale me një diferencë të ngushtë, duke trashëguar jo vetëm pushtetin, por edhe një sistem të brishtë ekonomik dhe institucional.
Shtypje, varfëri dhe eksod masiv
Gjatë më shumë se një dekade në pushtet, Maduro konsolidoi një regjim autoritar, shtypi opozitën, manipuli zgjedhjet dhe përdori aparatin shtetëror për të ruajtur kontrollin absolut. Retorika anti-amerikane, menaxhimi i dështuar ekonomik dhe lidhjet me strukturat e sigurisë e çuan Venezuelën në kolaps.
Miliona qytetarë u detyruan të largoheshin nga vendi, ndërsa varfëria dhe mungesa e ushqimit u kthyen në realitet të përditshëm. Studime të viteve të fundit treguan se shumica e popullsisë jetonte në kushte mjerimi, me humbje peshe masive dhe mungesë elementare të ushqimit.
Pavarësisht akuzave për represion, korrupsion dhe narkoterrorizëm, Maduro vazhdoi të sundonte i bindur se ishte i paprekshëm – derisa historia e tij politike u mbyll në mënyrën më ironike: i izoluar nga populli që pretendonte se përfaqësonte dhe i rrëzuar nga pushteti që adhuronte mbi gjithçka.
